Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka bërë thirrje që të barten maskat në ambiente të mbyllura dhe që qytetarët të vaksinohen kundër COVID-19.
Në një njoftim të lëshuar thuhet se Kosova ka shënuar rritje të rasteve të reja të COVID-19, ndonëse në 24 orëshin e fundit janë 43 raste të reja, shifër kjo tre herë më e lartë se sa e ditëve të kaluara.
“Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar. IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”.
“Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë ata që ende se kanë bërë këtë, kurse të tjerët me dozën e dytë dhe dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në njoftim, transmeton KlanKosova.tv.
Rastet e reja për ditët e kaluara variojnë kështu: 13 raste të martën, 12 të hënën, 16 të dielën dhe 25 të shtunën.
Gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes nga COVID-19, në total numri i rasteve aktive është 154.

