Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Tërshani ka dorëzuar 650 faqe material në Policinë e Kosovës, lidhur me siç ka thënë kërcënimet që i janë bërë, raporton Ekonomia Online.
Ajo, ka thënë se është subjekt i qindra komenteve fyese, denigruese e kërcënuese.
“Jam këtu për me vendosur një vijë të qartë mes lirisë së shprehjes dhe dhunës. Që 10 vjet jam aktive në jetën publike, po sidomos tash jam subjekt i qindra komenteve fyese, denigruese, kërcënuese e plot urrejtje. Sot po dorëzoj 650 faqe material në Policinë e Kosovës, jo sepse jam lënduar nga kritika politike, në demokraci kritika është e domosdoshme, po i dorëzoj sepse kërkush nuk ka të drejtë me përdor kërcënimin, poshtërimin edhe dhunën online si armë për me i heshtur, frikësuar apo larguar gratë nga jeta publike e politike. Shumë e kemi toleruar një kulturë ku njerëzit fshihen mbrapa ekraneve, mendojnë se mundet me shpif, me ofendua e kërcënua pa asnjë pasojë. Kjo duhet me marrë fund. Interneti nuk është zonë pa ligj, edhe në hapësirën digjitale ekziston përgjegjësia, edhe aty ekziston dinjiteti njerëzor, edhe aty ekziston ligji”, tha Tërshani.
Tërshani, ka deklaruar se secili që fyen e shan në rrjete sociale duhet të marrë dënimin e merituar.
“Ka vajza e gra që në vitin 2026 më thonë: “Faleminderit që e ke marrë guximin me na përfaqësua edhe në politikë.” Çfarë guximi duhet me qenë, çfarë guximi duhet për me qenë grua në politikë? Për me kandidua, për me fol në publik? Boll më me romantizimin e gruas të fortë në politikë. Synimi nuk është me krijuar gra që durojnë çdo gjë, synimi është që secili njeri që e merr guximin me sha, me fy e jo vetëm, në secilin koment në rrjete sociale, me dalë para institucioneve të drejtësisë edhe me marrë dënimin meritor,” tha ajo.

