Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet të udhëtojnë të dielën drejt Kievit, pas përfundimit të bisedimeve intensive me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.
Witkoff dhe Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, zhvilluan të shtunën një takim prej më shumë se tri orësh me Putinin në Kremlin. Sipas autoriteteve ruse, negociatat vazhduan edhe gjatë një darke me presidentin rus, raporton Reuters.
Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, i cilësoi bisedimet si “shumë të dobishme”, por nuk dha shenja për ndonjë përparim konkret drejt përfundimit të luftës. Ai tha se përfaqësuesit amerikanë kishin paraqitur disa ide për rrugët e mundshme drejt një marrëveshjeje.
Sipas Ushakovit, Witkoff dhe Kushner shprehën interesimin e Uashingtonit për përfundimin sa më të shpejtë të luftimeve. Ata pritet t’ia përcjellin presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky vlerësimet dhe qëndrimet e paraqitura nga Putini gjatë takimit.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se palët diskutuan plane konkrete për hapat e ardhshëm, të cilët pritet të bëhen publikë gjatë javëve në vijim.
Vizita e tyre do të jetë e para në kryeqytetin ukrainas që nga fillimi i luftës dhe vjen në kuadër të përpjekjeve të reja të administratës Trump për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Moskës dhe Kievit.
Përpjekjet diplomatike po zhvillohen mes sulmeve të vazhdueshme ajrore dhe dallimeve të mëdha ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës për kushtet e përfundimit të luftës. Deri më tani, nga takimi në Kremlin nuk është njoftuar ndonjë marrëveshje konkrete.

