Telenews

8400 aksidente për pesë muaj në Kosovë, institucionet kërkojnë përdorim më të madh të Raportit Evropian

Përdorimi sa më i madh i Raportit Evropian të Aksidentit, po vlerësohet si mënyrë efikase e zgjidhjes së kontesteve pas aksidenteve në trafik. Kjo, duke e zhbllokuar komunikacionin më shpejt, krahas trajtimit më të shpejtë të dëmeve.

Apeli për përdorimin e këtij raporti u dha sot nga Byroja Kosovare e Sigurimit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me mbështetjen e Bankës Qendrore të Kosovës, kur e lansuan fushatën vetëdijësuese për përdorimin e tij.

Drejtoresha ekzekutive e Byrosë Kosovare të Sigurimit, Krenare Pirani-Kiseri, tha se fushata ka rëndësi të veçantë duke marrë parasysh numrin e lartë të aksidenteve dhe ngarkesën që ato krijojnë për qytetarët.

“Rëndësia e kësaj fushate bëhet edhe më e qartë kur shohim statistikat. Në pesëmujorin e parë të vitit 2026 janë regjistruar gjithsej 8 mijë e 400 aksidente, nga të cilat 5 mijë e 52 aksidente kanë qenë aksidente me dëme materiale. Kjo do të thotë se mijëra qytetarë çdo ditë ballafaqohen me procedura pas aksidenteve të veta, të cilat mund të zgjidhen shumë shpejt përmes përdorimit korrekt të Raportit Evropian të Aksidenteve. Qëllimi ynë është që çdo qytetar të dijë se kur dhe si duhet të përdoret Raporti Evropian i Aksidenteve. Përdorimi i raportit evropian nënkupton më pak pritje në vendngjarje, më pak bllokim të trafikut dhe trajtim më të shpejtë të dëmeve, si dhe një shërbim më efikas për qytetarët”, tha ajo.

Drejtori i Trafikut Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, tha se përdorimi i raportit evropian të aksidentit do të ndikojë në uljen e angazhimit të policëve në rastet e aksidenteve me dëme materiale.

“Vetëm si shifër, brenda një viti mesatarisht janë rreth 15 mijë aksidente trafiku me dëme materiale, që nënkupton se Policia e Kosovës angazhon rreth 15 mijë patrulla, apo afërsisht 30 mijë zyrtarë policorë. Sa i përket gjendjes së sigurisë në trafikun rrugor, për periudhën janar-maj numri i personave që kanë humbur jetën është pothuajse i njëjtë, me 38 viktima deri dje. Ndërsa aksidentet me dëme materiale kanë shënuar rënie prej 9.7 për qind dhe aksidentet në përgjithësi rënie prej 5 për qind”, tha Rexhepi.

Përfaqësuesi i kompanive të sigurimeve, Përparim Drini, tha se sektori ka shënuar progres, por ende ka hapësirë të madhe për zhvillim dhe afrim me standardet evropiane.

“Sektori ka bërë një progres të konsiderueshëm dhe njëkohësisht ka ende potencial të madh për zgjerim dhe diversifikim. Penetrimi i sigurimeve në Kosovë ende mbetet i ulët nëse e krahasojmë me shtetet e rajonit e sidomos me shtetet e Bashkimit Evropian ku është qëllimi ynë. Raporti evropian i aksidenteve është një dokument standard i përdorur në më shumë se 40 vende evropiane dhe përfaqëson praktikën më të avancuar për dokumentimin e aksidenteve materiale, pa të lënduar”, tha ai.

Përfaqësuesja e BQK-së, Ramize Ramadani tha se institucioni që ajo përfaqëson ka rol mbikëqyrës dhe rregullator në sektorin e sigurimeve, duke theksuar se vitet e fundit fokusi ka qenë në forcimin e stabilitetit financiar dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

“BQK në mandatin e saj ka mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit të sigurimeve. Ky sektor vitet e fundit është aktivizuar me një qëllim të vazhdueshëm si në aspektin e stabilitetit financiar, ashtu edhe në mbrojtjen e përdoruesve të shërbimeve financiare. Fokusi ynë nuk është vetëm garantimi i qëndrueshmërisë së sektorit, por edhe avancimi i vazhdueshëm i mbrojtjes së konsumatorit, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve dhe rritja e besimit në sektorin e sigurimeve”, tha ajo.

Të ngajshme

Çfarë mund të humbë Kosova nëse s’i bashkohet projekteve të gazit amerikan?

Blearta

Hoti paralajmëron protestë, kritikon Haxhiun për neglizhencë ndaj deklaratave të ShBA-së

Blearta

Tragjedi në Gjermani: Njëvjeçarja vdes pasi mbeti për orë të tëra e mbyllur në makinë

Blearta