Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin për tensionet e rënda të krijuara në pjesën veriore të vendit dhe dënon fuqishëm sulmet ndaj gazetarëve, Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it.
Krasniqi thekson se është tërësisht e papranueshme që puna e gazetarëve të pengohet dhe që ata të shndërrohen në caqe të sulmeve.
“Kërkojmë nga institucionet kompetente të Qeverisë që të garantojnë masa sigurie për gazetarët dhe punonjësit e mediave, të cilët janë në detyrë dhe po raportojnë gjatë gjithë ditës nga pjesa veriore e Kosovës”, ka thënë Krasniqi nëpërmjet një deklarate të publikuar në faqen e tij në Facebook.
Tutje, PDK i ka bërë thirrje Presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti që ta mbledhin “urgjentisht” Këshillin e Sigurisë së Kosovës, për ta shtensionuar situatën.
“Duke e kuptuar drejt seriozitetin e situatës dhe tensionin e ngritur në komunat e pjesës veriore të vendit, ftojmë Presidenten dhe Kryeministrin që të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Rikthimi i normalitetit është parakusht i fillimit të një qeverisjeje komunale të mirëfilltë, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunave në pjesën veriore të vendit”, tha Krasniqi.
Në fund, Krasniqi ka inkurajuar qytetarët e Kosovës që të ruajnë qetësinë dhe të mos bëhen pjesë e asnjë manipulimi apo sjelljeje të dhunshme e cila cënon rendin, ligjin dhe demokracinë në vendin tonë.