Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë mbledhur sot në një seancë të veçantë ku po diskutojnë rreth zhvillimeve të fundit në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit, ku tash e pesë ditë qytetarët po protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë fjalës së tij ka kritikuar ashpër kryeministrin e vendit, Albin Kurti, për të cilin tha se i di me emër e mbiemër pjesëtarët e bandave kriminale në veri të vendit, por sipas tij, sërish nuk i arreston.
“Sot po bëhet një javë nga sulmi jo i paprecedentë dhe jo i rrallë i bandave kriminale në Veri që kryeministri po i njeh me emër dhe mbiemër, por janë ende në Veri të paarrestuar. Por, ky po i njeh dhe po na ligjëron për to, por janë të lirë kundrejt institucioneve të Republikës së Kosovës, përkatësisht zyrave të kryetarëve në Veri”, tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së tha se sulmi i nisur ndaj Policisë nga banda që kryeministri i njeh, por s’i arreston, ndaj gazetarëve shqiptarë u shndërrua shpejt në sulm ndaj ushtarëve paqeruajtës të KFOR-it.
“Në një situatë të pamenduar më parë, të paprecedentë dhe gjithsesi të rrallë, Kosova ende vazhdon të sulmohet prej këtyre bandave e kryeministri i Kosovës është në sulm fatkeq ndaj miqve dhe aleatëve tonë ndërkombëtarë. Kjo është gjendja sot. Si rrjedhojë pra, Kosova ka përfunduar e përballur me tension dhe me paaftësi për të ushtruar detyrat bazike kushtetuese të kryetarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike, por edhe me dënim, sanksione dhe penalizim ndërkombëtar”, shtoi Abdixhiku.
Kujtojmë se Kurti tha se në rolin kryesor për organizimin e protestuesve në terren, janë anëtarët e formacionit ilegal të së ashtuquajtur “Mbrojtje Civile” dhe ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ku është parë prezencë e madhe e tyre në terren, gjatë fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit të Kosovës.
“Millorad Jeftiq është njëri nga drejtuesit e këtij formacioni ilegal, shtëpia e tij në Zveçan është shndërruar në bazë qëndrimi të drejtuesve të kësaj organizate ilegale. Gjithashtu ka prezencë të madhe të përfaqësuesve të Listës Serbe në atë shtëpi. Ata janë duke punuar në mobilizimin e strukturave atje, për prezencë sa më të madhe para objekteve komunale dhe duke orkestruar sulme të ardhshme. Niçko Jevtiq, pjesëtarë i formacionit ilegal, të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile në Zveçan”. Bashkë me të, Rajko Jevtiq, ish-këshilltar i Listës Serbe në Zveçan dhe ish-drejtor në Komunën e Zveçanit, babai i Miçko Jevtiq. Danillo Josifoviq, i njohur me nofkën “Përki”, gjithashtu pjesëtar i formacionit ilegal, të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile”. Liliana Aksintieviq, zëvendësueses e kryetarit të ashtuquajtur “Organ i Përkohshëm” në Zveçan, ka urdhëruar të gjithë punëtorët e komunës ilegale të Zveçanit që në 06:30 të dalin para komunës”, tha Kurti para deputetëve.

