Telenews

AGK: 30 sulme të regjistruara ndaj gazetarëve në veri për tri javë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë një rishikim të të gjitha sulmeve me të cilat janë përballur gazetarët vendorë gjatë raportimit nga komunat veriore, qysh prej momentit kur u krijuan tensionet pas vendosjes së kryetarëve të rinj shqiptarë.

Siç raporton AGK, në një periudhë kohore prej tri javësh, individë të caktuar e grupe kriminale shkaktuan 30 sulme ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të tjerë të medias, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Në një periudhë kohore prej tri (3), javësh në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë regjistruar 30 raste të sulmeve kundër gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe medieve që kanë përcjellur zhvillimet nga komunat veriore të vendit”, bën të ditur njoftimi.

Tutje, AGK ka bërë thirrje për mbrojtje të gazetarëve duke apeluar te vetë gazetarët që të mos ta rrezikojnë jetën e tyre për hir të raportimit.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me situatën që gjenden kolegët tanë që raportojnë nga komuna, andaj kërkojmë nga organet kompetente të ndërmarrin hapa që të krijojnë një ambient të sigurt për raportim nga ajo zonë”.

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla njoftoi për arrestimin e një të dyshuari për sulm ndaj gazetarëe gjatë protestave të dhunshme të 29 majit, në Leposaviq.

“Një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq me datë 29 maj, sapo është arrestuar. Nemanja Vllaskovic do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë”, ka njoftuar ai në Facebook.

Sot gjatë ditës janë shënuar edhe pesë sulme të tjera ndaj gazetarëve që po raportonin për zhvillimet në veri të Kosovës.

Disa të tjerë janë gjuajtur me gurë nga protestuesit serbë.

Në Leposaviq është sulmuar fizikisht kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, i cili ka pësuar edhe lëndime trupore. I njëjti u rrëzua për toke e u godit brutalisht.

Është sulmuar edhe kameramani Albin Rrahmani, pjesë e mediumit TV1. Siç njoftoi AGK, ky sulm ndodhi në prani të forcave të KFOR-it; ata s’kanë reaguar për t’i dalë në mbrojtje kameramanit në fjalë, përkundrazi e penguan që t’i ikë turmës.

Gazetarit të DTV, Pleurat Sahilut, protestuesit në Leposaviq ia thyen krahun.

Gazetarja e RTV Dukagjinit, Dorentina Thaqi, është sulmuar me gurë dhe është qëlluar në kokë. Ajo po ashtu është sulmuar edhe me shok-bombë.

Ndërkaq, ekipi i portalit IndeksOnline i përbërë nga gazetarja, Laura Kerolli, dhe kameramani, Ardijan Shala, kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa po ndiqeshin dhe sulmoheshin nga protestues serbë.

Këto sulme, të cilat u konsideruan të tmerrshme e të papranueshme, i ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të ngajshme

Dafina Zeqiri vjen me “Tranquilo”

Erzana Fazliu

Abdixhiku me ‘Turneun e Ndryshimit’ merr përkrahje të madhe në Ferizaj

Erzana Fazliu

Guerot: Osmani gjithmonë ka avokuar koordinim me ndërkombëtarët, i jemi falënderues

Erzana Fazliu