Sociologia dhe zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi e ka kritikuar muralin e vendosur për gruan në Gjilan, komunë që udhëhiqet prej Alban Hysenit të VV-së.
Ajo ka thënë se murali i prezantuar si “Forca e Gruas” nuk ka të bëjë fare me fuqizimin e grave, por me robërimin e tyre.
Postimi i plotë i saj në Facebook:
Murali dhe mbishkrimi patriarkal i kryetarit të Gjilanit!
Murali i prezantuar si “Forca e Gruas” nuk ka të bëjë fare me fuqizimin e grave, por me robërimin e tyre.
Mural në hapësirë publike, pa fuqi figurative, ajo na shfaqet si besimtare e verbër dhe pa asnjë qëllim jetësor pos familjes.
Gabimi tjetër i pafalshëm, është kur kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni përpiqet që këtë model të gruas së prezantuar ta paraqesë me një status në Facebook, si pamje të barazisë gjinore, fuqizim të grave dhe politikave më miqësore për familjen!?
Ky është version tipik patriarkal i konceptimit të forcës së gruas, që ka veç një qëllim në jetë: rritjen e fëmijëve!
Një shembull se si koncepti i familjes vihet në shërbim të pushtetit politik patriarkal.
Shtrohet çështja, si mund të reflektojë një vajzë e re derisa vështron muralin. Lidhja e verbër me botën patriarkale dhe me mbajtje fëmijësh, pa vizion për lirinë, pra pa të ardhme.