Telenews

Pengesat psikologjike, armiku i jashtëm dhe akulli – si po i sheh Rama, Kurtin dhe Vuçiqin

Kryeministri Rama është kthyer në komentuesin e rregullt të zhvillimeve në veri. Për situatën atje, thotë se është 100 për qind në linjë me qëndrimin e Perëndimit.

Veprimet e Kryeministrit Kurti i duken shkurtpamëse dhe thoshte se e tmerrojnë. Sipas Ramës, Kryeministri Kurti dhe Vuçiqi duan të mos e shuajnë figurën e armikut, sepse u duhet për politikë të brendshme. Kur i tha krejt për Kurtin, Rama e paralajmëroi Vuçiqin që mund t’i prishë raportet me të, nëse Serbia nuk i liron tre policët e rrëmbyer kosovarë.

 

Në konferencën e jashtëzakonshme të thirrur për të folur vetëm për Kosovën një javë më parë, Kryeministri Rama i bëri një përshkrim të mbështetur në një tregim biblik përballjes së Kryeministrit Albin Kurti me fuqitë ndërkombëtare.

Rama tha se po i bëhet magji elektoratit që të besohet se Kryeministri Kurti, si “Davidi” luftëtar, po përballet me “Goliathin”, që në këtë rast është Perëndimi.

“Ne mund t’i bëjmë elektoratit për njëfarë kohe magji, sikur ne jemi Davidi që po lufton me Goliathin. Por, nuk funksionon për një kohë të gjatë. Dhe, për më tepër pastaj, Goliathi anglo-amerikano-evropian, që luftohet nga një David shqiptar, mund ta intrigoj për njëfarë kohë një elektorat që ndjen boshllëkun e sapombarimit të Big Brother-it, por nuk është diçka çon larg”, tha Rama.

Për 50 minuta të tjerë, në atë konferencë, Kryeministri shqiptar e quajti një “absurd” situatën e krijuar mes Kosovës dhe fuqive ndërkombëtare, të cilat kanë paralajmëruar sanksione.

“Kosova po kërcënohet nga një arsye e mosarsyes dhe i një, sipas meje, gjykimi absolutisht të gabuar strategjik”, tha Rama.

Për Kryeministrin e Shqipërisë, kjo që po bën Kurti është një shkurtpamësi, e cila thotë se po e tmerron.

“Ne thjesht dhe vetëm shikojmë dhe tmerrohemi nga kjo miopi, është miopi, është diçka që nuk e kuptoj…”, tha Rama.

Rama u fokusua të analizojë se çka mendon Kurti në krejt situatë, dhe çka mendon Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, me të cilin ka raporte miqësore. Sipas Kryeministrit të Shqipërisë, Kurtit dhe Vuçiqit, u duhet një armik i jashtëm, prandaj nuk duan të zgjidhet situata, duke u formuar Asociacioni, që është kthyer në një nyje.

“Ka dy njerëz që janë të interesuar që Asociacioni të mos krijohet dhe këta janë Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë”, tha Rama.

“Për mënyrën se si e kanë të ndërtuar politikën e tyre të brendshme, u duhet armiku i jashtëm”.

Sipas Ramës, Asociacioni e shpërbën “figurën e armikut imagjinar”, prandaj Kurti dhe Vuçiqi nuk duan që ai të bëhet.

Kur flet për draftin e propozuar nga ai për Asociacionin, të cilin e quan “top” dhe “kryevepër”, Rama thotë se refuzimi ka të bëjë me “pengesë psikologjike”.

“E keqja është se ka një pengesë psikologjike të fortë, që ka të bëjë me natyrën e gjithë politikës së bërë nga të dy [Kurti dhe Vuçiq]”,

Ai insistonte se ajo që po bën Kurti është një taktikë elektorale e brendshme.

“Jam i tmerruar nga ky kurs, taktikë elektorale e brendshme. Asgjë s’ka këtu sipas meje, përveç kësaj”.

Përgjatë gjithë kësaj kohe që Rama ka qenë aktiv në komentimin e ngjarjeve në veri, por Qeveria e Kosovës priste nga Shqipëria vetëm mbështetje.

“Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë”, është thënë në një nga deklaratat e Qeverisë.

Rrëmbimi i tre policëve kosovarë brenda territorit të Kosovës ndërroi pak qasjen e Ramës. Ndonëse ai mban qëndrim neutral sa i përket versioneve të dhëna nga Kosova dhe Serbia rreth vendndodhjes së policëve, Rama kërkon që ata të lirohen menjëherë.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!” – ka shkruar Rama në Tëitter.

Ky është “ultimatumi” i rrallë i Ramës për Vuçiqin, me të cilin ka raporte të mira bashkëpunuese dhe miqësore. Bashkë e kanë edhe projektin e Ballkanit të Hapur, për të cilin kritikohet nga pushteti në Kosovë.

Të ngajshme

Kurti edhe sonte zbarkon në Mitrovicë me xhipa të zinj për ta “ngritur Pecin”

KushtrimGuraj

Situata e vendeve kandidate – çfarë thotë raporti i BE-së?

KushtrimGuraj

Komisioni Evropian e godet ashpër Serbinë me raportin e fundit

Donat Hashani