Telenews

Haxhiu kthehet 10 vite pas: Ata që e votuan Asociacionin e sot e kritikojnë, së pari duhet të pendohen e kërkojnë falje

Ministria e Drejtësisë Albulena Haxhiu është kthyer 10 vite prapa, duke ua rikujtuar qytetarëve marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013 për themelimin e Asociacionit, që ishte nënshkruar nga ish-kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Ajo ka kujtuar se kur ishte prezantuar në Kuvendin e Kosovës, ajo ishte prezantuar si një marrëveshje që sjell integrime euro-atlantike, evropiane, përshpejtim të liberalizimit të vizave si dhe shuarje të strukturave paralele serbe.

“Para një dekade na u soll në parlament për votim “Marrëveshja e parë e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë” e cila u pat nënshkruar më 19 prill 2013 nga ish kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq. Marrëveshja vetëm në titull e kishte normalizimin pasi në qendër e në përmbajtje e kishte themelimin e Asociacionit një-etnik të komunave me shumicë Serbe. Gjashtë nenet e para të kësaj marrëveshjeje ishin vetëm për Asociacionin/Zajednicën i cili përmendej gjithsej 9 herë në 15 nene. Në prezantimin e saj në Kuvend, fjala kyçe ishte marrëveshje që sjell integrim. Integrime euroatlantike, integrim në familjen evropiane, përshpejtim të procesit të heqjes së regjimit të vizave, si dhe shuarjen dhe integrimin e strukturave paralele serbe në kuadër të institucioneve të Kosovës. Karakterin një-etnik, delegimin kundër-kushtetutes të kompetencave ekzekutive dhe krijimin e një shtrese të tretë të pushtetit të qeverisjes që e mëtonte kjo marrëveshje e parimeve, gjykata do t’i gjente në shkelje të kushtetutës dy vite më vonë kur kësaj marrëveshje ju sqaruan e zhvilluan kompetencat me marrëveshjen Mustafa-Vuçiq më 25 gusht të vitit 2015”, ka shkruar ministrja

Por sipas Haxhiut, ndodhi ndryshe.

“Strukturat paralele ilegale nga shërbimet e BIA-s, “Mbrojta Civile” dhe “Rojat e Urës”, në vend të shpërbërjes u rehabilituan në institucione të Kosovës. Pasi nuk u shpërbënë, ato kurrë nuk u integruan. Sot, dhjetë vite pas, përveçse ilegale kryejnë edhe vepra terroriste e kriminale siç e pamë me 29 maj të këtij viti në Zveçan si dhe me aktin terrorist që u parandalua para katër ditësh po ashtu në Zveçan. Nga kjo marrëveshje, Kosova përfitoi Asociacionin/Zajednicën kurse Serbia integrimin, pra po sillnin bosnjëzim për Kosovën e evropianizim për Serbinë. Vetëm një ditë pas votimit në Kuvendin e Kosovës, pra më 28 qershor 2013, Këshilli Evropian miraton rekomandimin e Komisionit për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE për Serbinë e cila deri në dhjetor të vitit 2021 ka hapur 22 nga 35 kapitujt”, ka thënë tutje ajo.

Ajo ka thënë se Asociacioni është një trashëgimi e keqe, e cila po trajtohet me një marrëveshje të re e cila në qendër ka njohje de facto reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka thënë që ata të cilët e votuan këtë marrëveshje dhe e kritikojnë sot, së pari duhet të pendohen dhe të kërkojnë falje.

“E patëm kundërshtuar fort nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin/Zajednicën e më pas sjelljen për votim në Kuvend dhe u munduam shumë që ta ndalim votimin e saj, por aq mund të bënim nga ulëset e opozitës. Gabimin që e bënë kur e nënshkruan, e dyfishuan kur e sollën në Kuvend për ta votuar e ratifikuar. Më shumë se 2/3 e problemeve që i kemi në dialogun me Serbinë sot vijnë nga ky votim me mbi 2/3 në Kuvendin e Republikës para fiks një dekade. Këtë trashigimi të së kaluarës që na e lanë pas, po e adresojmë me marrëveshjen e re e cila në qendër ka njohjen reciproke de facto, marrëdhëniet dhe të drejtat reciproke. Disa nga emrat që e kanë votuar Asociacionin/Zajednicën para 10 viteve e kritikojnë atë sot, por do të ishte mirë që kritikës t’i paraprijë pendimi e kërkim falja. Asisoj do të kuptohej sinqeriteti në kritikë e besimi në angazhim”, ka shkruar në fund Haxhiu.

Haxhiu ka publikuar edhe listën e deputetëve të asaj kohe që i kishin dhënë mbështetje me votë kësaj marrëveshjeje.

 

 

 

Të ngajshme

Mimoza ka një kërkesë për Era Istrefin

Blearta

Barcelona mund ta transferojë Muriqin për 15 milionë euro

Blearta

Vanesa flet hapur për puthjen në buzë me vëllain në Ferma VIP: E kam puthur siç e puth unë…

Blearta