Telenews

Policia publikon dokumentin dhe e-mailin e falsifikuar që po shpërndahet, fton qytetarët të mos bien pre

Policia e Kosovës ka reaguar sërish lidhur me qarkullimin dhe shpërndarjen nëpër e-maila të ndryshëm të disa informacioneve dhe dokumenteve false, që kinse i përkasin këtij institucioni dhe kinse janë lëshuar nga zyrtarë të lartë brenda PK-së.

Policia ka sqaruar se shpërndarja e këtyre e-mailave, kinse janë e-maila zyrtar të lëshuar në emër të zyrtarëve të lartë të PK-së, përfshirë edhe një dokument që përmban logo të PK-së, logo qeveritare, vulë të ndryshme dhe një mbishkrim të EUROPOL-it, kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-maila dhe dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.

“Siç e kemi theksuar në sqarimin e parë, tani edhe në sqarimin e dytë e ri-theksojmë se, në e-mailin dhe dokumentin e falsifikuar, janë përdorur emrat e zyrtarëve të lartë të PK-së dhe logot e ndryshme, por se ri potencojmë se nuk janë dokumente zyrtare, nuk përmbajnë formatin dhe shkrimin zyrtar të PK-së, si dhe nuk janë lëshuar nga adresat zyrtare të Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

Me qëllim të sqarimit për personat të cilët mund të pranojnë ndonjë e-mail apo dokument të tillë, Policia e ka bërë publike këtë dokument të falsifikuar dhe formën e e-malit po ashtu të falsifikuar, me qëllim që të mos krijojë shqetësime të panevojshme te qytetarët.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mailave/dokumenteve të tilla, dhe vazhdimin e shpërndarjes së tyre, me kohë ka filluar hetimet intensive duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”.

“Policia e Kosovës, njofton edhe njëherë qytetarët dhe i fton që të mos bien pre e dezinformacioneve/mashtrimeve të tilla, dhe kushdo që mund të pranoj ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së info@kosovopolice.com për trajtim dhe kompetencë të mëtejme”, bëhet e ditur tutje.

 

Të ngajshme

Përplasje trenash në Danimarkë, raportohet për të lënduar

Valjeta Turkaj

Djali hodhi statujën nga ballkoni dhe la të vdekur turisten, prindërit ndiqen penalisht për vrasje

Valjeta Turkaj

Tahiri i AAK-së: Nuk marrim pjesë në seancën për president ku propozohen dy kandidatë prej një partie

Valjeta Turkaj