Telenews

Faktorët që komplikojnë zgjidhjen me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez

 

 

Konflikti i vështirë dhe i vjetër mes izraelitëve dhe palestinezëve për tokën, të drejtat dhe sigurinë është në një fazë të re.

Armiqësitë janë thelluar nga 7 tetori, kur grupi palestinez, Hamas – i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – ka sulmuar i pari Izraelin, duke vrarë e robëruar njerëz. Izraeli është përgjigjur me sulme masive vdekjeprurëse në Rripin e Gazës, të populluar me mbi dy milionë palestinezë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se nuk mund të ketë më kurrë kthim prapa në status quo-në e para 7 tetorit. Ai ka dhënë edhe qëndrimin e SHBA-së për atë që duhet të vijë kur kriza të përfundojë:

“Sipas mendimit tonë, duhet të jetë një zgjidhje me dy shtete”.

“Do të thotë, një përpjekje e përqendruar e të gjitha palëve – izraelitëve, palestinezëve, partnerëve rajonalë, liderëve globalë – për të na vënë në rrugë drejt paqes”, ka thënë Biden.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka përmendur po ashtu opsionin e zgjidhjes me dy shtete edhe gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, edhe gjatë një fjalimi para ligjvënësve britanikë.

“Sado e rëndë të jetë, ne duhet ta shtrojmë pyetjen e vështirë: si mund ta ringjallim perspektivën afatgjate për një zgjidhje me dy shtete, për normalizim dhe qëndrueshmëri rajonale? Kjo është pikërisht ajo që Hamasi është përpjekur ta vrasë”, ka thënë Sunak.

Edhe Këshilli Evropian ka konfirmuar angazhimin e tij për, siç ka thënë, paqe të qëndrueshme të bazuar në zgjidhjen me dy shtete.

“Ne theksojmë nevojën për t’u angazhuar gjerësisht me autoritetet legjitime palestineze, si dhe me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, të cilët mund të luajnë një rol pozitiv në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës”, ka thënë përmes një deklarate Këshilli Evropian.

Zgjidhja me dy shtete është qëndrim zyrtar edhe i Kombeve të Bashkuara, e madje edhe vetë Izraelit, por shumë tani thonë se ka pak shpresa për ta arritur atë.

Kjo zgjidhje do të sillte një shtet të pavarur palestinez, të krijuar përkrah shtetit ekzistues të Izraelit. Pyetja më e komplikuar është se ku do të ishin kufijtë e shtetit të ri?

Sipas një analize të Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, mbështetësit e kësaj zgjidhjeje besojnë se kufijtë do të duhej të ishin të njëjtit që kanë qenë para Luftës 6-ditëshe, më 1967, pas së cilës Izraeli ka pushtuar Jerusalemin Lindor, Bregun Perëndimor dhe Gazën./ REL

Të ngajshme

Abdixhiku parashikon se sa mijë votues nga mërgata do të votojnë për LDK-në

Donat Hashani

Nasim Haradinaj për Jack Smith: Sytë e tij kanë gjak, hala s’i kam bo çka kam qejf me i bo

Donat Hashani

Policia aksion në Komunën e Graçanicës, kap në flagrancë dy zyrtarë duke pranuar kaq mijë euro ryshfet për një lëndë pronësie

Donat Hashani