Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë i ka dalë në mbrojtje kontratës për angazhimin e konsulentit të jashtëm, Gani Jakupi, përmes Ambasadës së Kosovës në Bruksel.
Përmes një komunikate për media, MPJD-ja ka thënë se Gani Jakupi është angazhuar sepse është artist i njohur në Evropë e në shtete të Amerikës Latine.
“Kontrata e përfolur është lidhur në kuadër të shtimit të kapaciteteve të Republikës së Kosovës për të depërtuar sidomos tek disa shtete të caktuara, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës si dhe për të ofruar konsulencë të mirëfilltë në fushën e diplomacisë publike dhe kulturore”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Sipas Ministrisë, Gani Jakupi është një artist me kontakte të shumta të cilat janë pasuri për shtetin.
“Kontrata është lidhur duke respektuar të gjitha procedurat e parapara me ligj. Përzgjedhja e konsulentit është bërë duke u bazuar në nevojat specifike të projektit konkret dhe njohuritë specifike të tij. Kontaktet e shumta të konsulentit të përzgjedhur në botën e kulturës dhe të medias, sidomos në një numër shtetesh që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, janë një pasuri e çmuar për kulturën, diplomacinë dhe shtetin tonë. Konsulenti i përzgjedhur është një artist i njohur në qarqet e gjera kulturore dhe artistike të Evropës Perëndimore, e sidomos në Francë, Belgjikë dhe Spanjë, por edhe në një pjesë të madhe të shteteve të Amerikës Latine”, thuhet tutje në komunikatë.
Kjo ministri thekson se sa i përket përmbajtjes së kontratës dhe posaçërisht shumës së përmendur në media, të gjitha procedurat e ndjekura i janë përmbajtur me fanatizëm ligjeve të Kosovës.
MPJD shton se edhe në të ardhmen nuk do të reshtë së kërkuari dhe mundësuari kontributin e të gjithë atyre që kanë vullnet dhe mundësi të ndihmojnë në fusha të ndryshme të diplomacisë, për ta vendosur Kosovën në vendin e merituar në arenën ndërkombëtare si Republikë e pavarur, sovrane dhe demokratike.

