Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka vizituar sot Komunën e Kaçanikut, për t’u njohur më afër me projektet komunale në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve.
Ai me këtë rast ka kritikuar nivelin qendror se po i anashkalon komunat e udhëhequra nga partitë opozitare, duke bërë që qytetarët të ballafaqohen me sfida dhe diskriminim nga Qeveria Kurti.
“Secili qytetar i Kosovës duhet ta dijë se qeveria aktuale e kryeministrit Kurti po i penalizon qytetarët në baza partiake dhe politike. Është viti i katërt që Komuna e Kaçanikut nuk e merr asnjë cent nga qeveria qendrore. Është një diskriminim i egër. Është një përjashtim i papranueshëm, sepse qytetarët anembanë Kosovës kanë votuar për parti të ndryshme, por qeveria e ka për obligim që t’u shërbejë të gjithëve”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka bërë të ditur se katër komuna nga tetë që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës, kryesisht nga rajoni i Ferizajt dhe Drenica, nuk e kanë marrë asnjë cent nga Qeveria për vitin e ardhshëm.
“Kjo është e papranueshme. Ky diskriminim duhet të përfundojë, sepse institucionet janë të të gjithë qytetarëve, dhe duhet t’u shërbejnë të gjithëve, pa dallim”, ka thënë kryetari i PDK-së.
Ndërsa, kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se kryetarin Krasniqi e njoftuan me shqetësimet, problemet dhe brengat me të cilat po ballafaqohen Komuna dhe qytetarët e Kaçanikut.
“Edhe në vitin e katër të qeverisjes, Komuna e Kaçanikut prapë është lënë anash. Qeverisja qendrore katërvjeçare për qytetarët e Kaçanikut ka menduar zero investime”, ka thënë ai.

