Gjatë orëve të fundit në Shërbimin Emergjent pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë trajtuar 21 raste të lëndimit nga shpërthimi i mjeteve piroteknike.
Dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, ngase njëri pacient është plagosur nga një plumb qorr, ndërkaq tjetri ka marrë lëndime nga përdorimi i fishekzjarrëve.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shërbimit Emergjent, Naser Syla, derisa potencon se mosha e pacientëve që kanë marrë lëndime si shkas i përdorimit të mjeteve piroteknike fillon nga një 6-vjeçar deri te një i moshuar mbi 60-vjeç.
Njëri nga të lënduarit po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ndërsa një tjetër në atë të Oftamologjisë. Ndërkaq, të lënduarit e tjerë, pas trajtimit janë liruar për në shtëpi
Syla shtoi se gjatë 18 orëve të fundit në Shërbimin Emergjent janë pranuar rreth 217 pacientë.
Ndryshe, Policia e Kosovës për menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë festës së ndërrimit të mot-motit ka përgatitur urdhrin operativ “Fund Viti – 2023 dhe fillimi i 2024” ku është paraparë shtim i prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim të qytetarëve.