Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kritikuar ashpër Qeverinë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend ku po diskutohet për çmimet dhe faturimet aktuale të energjisë elektrike.
Krasniqi ka nisur fjalimin e tij duke thënë se po fillon edhe një sesion jonormal i Kuvendit, pasi sipas tij, qeverisja është e tillë.
Ai u shpreh se Qeveria Kurti ua ka dhënë qytetarëve nga 100 euro dhe pas dy ditësh ua ka marrë përmes faturave të rrymës.
“Faturat e muajit të kaluar e kanë tmerruar secilën familje. E këtu kemi zyrtarë të qeverisë që jetojnë në një tjetër realitet. A mund të na tregoni se sa janë rritur të hyrat dhe profiti e KEDS-it dhe KESCO-s në krahasim me qeverisjet e kaluara”, ka thënë Krasniqi.
“Ua keni dhënë nga 100 euro, pas dy ditësh ua keni marrë me fatura të energjisë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, blloktarifa është pabarazi sociale, sepse nuk ka mundësi të barabarta.
Krasniqi ka thënë se një Qeveri normale duhet të krijojë mundësi të barabarta.
“Si mundet me qenë drejtësi sociale nëse nuk ke mundësi të kesh ngrohje qendrore në 90 për qind të vendit? Energjia është produkt esencial. Ju doni të thoni se ata që i kanë ndërtuar shtëpitë më të mëdha duhet të dënohen. Nuk është në rregull të thuhet se duhet paguar më shumë ata që shpenzojnë më shumë… Problemi është diku tjetër, ju jeni të varur nga tregtarët e energjisë, jeni të varur nga Martin Berishaj. Ju mund t’i ndalni hetimet këtu në Kuvend por jo edhe këtë, sepse ky është krim i organizuar. Kjo është skemë kriminale e korruptive që në krye ka Martin Berishajn e kjo nuk bëhet pa dijeninë e kryeministrit”, ka thënë ai.