Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje krerëve të partive opozitare për një koalicion parazgjedhor për ta rrëzuar kryeministrin Albin Kurtin.
I ftuar në T7, Haradinaj u pyet lidhur me zërat për një bashkëpunim mes tij dhe Albin Kurtit në zgjedhjet e ardhshme, mirëpo ish-kryeministri i Kosovës e mohoi një koalicion të tillë.
Përkundrazi, ai i bëri thirrje dy partive më të mëdha opozitare, LDK e PDK, për një koalicion parazgjedhor, çka sipas tij do të parandalonte ngritjen e Kurtit apo rikonfirimin e tij në pozitën e kryeministrit.
“Nëse i fiton zgjedhjet e nuk e ka shumicën do të ketë shumë probleme, por opozita e ka edhe një mundësi të dytë. Ata që nuk po e dëshirojnë bashkimin për me e rrëzua kryeministrin Kurti po e thonë se AAK-ja me LVV-në do të bashkohen. Nëse Lumir Abdixhiku e Memli Krasniqi janë të gatshëm me hy në koalicion pas zgjedhjeve po i pyes pse nuk po hyjnë në koalicion parazgjedhor me ne.
Ndoshta nuk jam më i mirë se Lumiri e Memli por e dinë populli i Kosovës. Unë jam i gatshëm të shkoj pas tyre nëse duan me ndryshu këtë qeveri”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se AAK-ja do të jetë befasia e këtyre zgjedhje duke treguar edhe synimin e tij.
“Synojmë 20 përqind në këto zgjedhje, dhe të gjithë do të befasohen. Ata që nuk kanë guxim me u bo bashkë para zgjedhjeve mund të jenë shkaktar për ngritjen e Kurtit, unë jam i gatshëm mu bashku me opozitën”, tha ai.

