Telenews

Dy serbë pranojnë fajësinë për huliganizëm ndaj KFOR-it, njëri dënohet me 6 muaj burgim, tjetri 6 mijë euro gjobë

 

 

Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, të cilët u arrestuan më 29 maj të vitit të kaluar në Zveçan në veri të Kosovës, gjatë përleshjeve mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it, kanë arritur një marrëveshje me Prokurorinë Speciale dhe kanë pranuar fajësinë për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e ka konfirmuar se aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve u shpall të martën.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Petroviq është dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tij i zëvendësohet me gjobë 6 mijë euro. Në këtë dënim, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, ku për secilën ditë qëndrimi llogariten nga 20 euro.

Kurse, i akuzuari Obrenoviq u dënua me 6 muaj burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 29 maji deri më 27 nëntor 2023.

Sipas aktakuzës, që u ngrit më 5 shkurt të këtij viti, ata akuzoheshin se “kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit”, kanë “rrezikuar personat nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe po ashtu ishin akuzuar për “sulm ndaj personit zyrtar”.

Në mesin e vitit të kaluar, policia e Kosovës arrestoi dhjetë pjesëtarë të komunitetit serb për sulme ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, për akuza kundër rendit kushtetues të Kosovës dhe për sulme ndaj gazetarëve.

Në veri, tensionet u rritën vitin e kaluar pasi policia e Kosovës asistoi që në ndërtesat komunale të hynin kryetarët e rinj shqiptarë. Kjo u kundërshtuar nga popullata vendase serbe, që nuk pranoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të prillit, votime që i bojkotoi.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me KFOR-in dhe mbi 100 persona u plagosën nga të dyja palët.

Të ngajshme

Kurti: Vuçiq synon hakmarrjen, ne duhet të jemi të përgatitur për këtë

KushtrimGuraj

Osmani e ka përgëzuar USAID’in për miqësinë e palëkundur për Kosovën

KushtrimGuraj

Shkurte Fejza dhe Shaqir Cërvadiku publikojnë këngën “O Flamur”

Erzana Fazliu