Telenews

Përplasja Kurti – Osmani? Si e sqaroi Kurti mungesën e tij në tryezën e thirrur nga Presidentja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mungoi në tryezën me krerët e partive politike të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani, ku u diskutuan propozime për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare.

Liderët e partive opozitare ishin të gjithë të pranishëm, por nga Lëvizja Vetëvendosje edhe pse ishte konfirmuar pjesëmarrja, nuk u pa në tryezë asnjë përfaqësues.

Pas përfundimit të takimit, Presidentja Osmani sqaroi se ishte ajo që refuzoi propozimin që në këtë takim të merrte pjesë nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, pasi tryeza ishte në nivel kryetarësh.

Po ashtu, Osmani nuk kurseu një thumb në distancë për Albin Kurtin kur i kërkoi gazetarëve që të shkojnë në zyrën e tij për ta pyetur se përse nuk u gjend sot në tryezën e liderëve politikë.

Sqarimi i Presidentes në konferencën për mediat duket se ka shtyrë Kryeministrinë të dalë dhe të shuajë zërat për përplasje mes institucioneve. Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu sqaroi se gjatë intervalit kohor të mbledhjes së ftuar nga Presidentja, Kurti po merrte pjesë në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë, ku ishte i ftuar si mysafir nderi.

“Dreka është caktuar me 10 korrik. Konfirmimi nga ana e kryeministrit për këtë drekë është bërë para tre jave”, shpjegon më tej Kryeziu.

Tutje ai theksoi se Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm në një ditë dhe orë të përshtatshme, ndërsa shpreh rezerva për vendimin e Osmanit për të mos pranuar Konjufcën si përfaqësues i Vetëvendosjes me delegim nga kryeministri.

“Në pamundësi për të marrë pjesë në orarin e propozuar, kryeministri Kurti ka sugjeruar që LV të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca. Gjë që konsiderojmë që do të duhej të ishte e pranueshme”, tha ai.

Të ngajshme

“Kosova po pret”, Endrit Thaçi bën thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri

Yllka Gashi

Villa Bellevue destinacioni ideal për pushim, relaks dhe momente të paharrueshme

Rrezarta Ramaj

Kuvendi njofton, nesër vazhdon seanca konstituive

Yllka Gashi