Java e pestë në Superligën e Kosovës në basketboll do të dhurojë sfida mjaft interesante.
Ndeshja e parë e kësaj xhiro-je dhe njëherazit derbi kryesore zhvillohet pikërisht sot mes rivalëve të vjetër në basketbollin e Kosovës, Sigal Prishtinës dhe Pejës. Bardhekaltrit kanë tri fitore dhe një humbje në katër xhirot e para, derisa pejanët dy fitore dhe dy humbje. Dy skuadrat me traditë dhe shumë trofe, synojnë fitoren në këtë përballje.
Sonte takim shumë i rëndësishëm po në kryeqytet është edhe ai mes Borës dhe Vëllaznimit. Prishtinasit kanë katër humbje në këtë edicion dhe janë në kërkim të fitores së parë në elitë, kurse kuqezinjtë kanë dy fitore e dy humbje.
Nesër luhet përballja mes Golden Eagle Yllit dhe Bashkimit. Therandasit kanë dy fitore e dy humbje, ndërsa prizrenasit janë skuadra e vetme pa humbje, katër fitore në katër ndeshje.
Xhiroja e pestë përmbyllet nesër me ndeshjen ndërmjet Proton Cable Prizrenit dhe Trepçës. Prizrenasit kanë një fitore e tri humbje, kurse mitrovicasit dy fitore dhe dy humbje.
Superliga-Java 5
E shtunë
17:00 Sigal Prishtina – Peja
19:00 Bora – Vëllaznimi
E diel
17:00 Golden Eagle Ylli-Bashkimi
19:00 Proton Cable Prizreni – Trepça

