Modelja e suksesshme sllovene që u bë Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, u vendos në qendër të vëmendjes që kur bashkëshorti i saj, Donald Trump, u zgjodh president në vitin 2016. Me mundësinë që Melania Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias i hedh një vështrim jetës së saj dhe disa pritshmërive lidhur me të.
Prindërit e quajtën Melania Knavs. Bota tani e njeh atë si ish-zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.
Ajo ka lindur më 26 prill 1970 në Novo Mesto, Slloveni, pjesë e ish-Jugosllavisë. Gjatë fëmijërisë së saj në qytetin e Sevnicës, babai i saj shiste makina, ndërsa nëna e saj punonte në industrinë e tekstilit.
Melania Knavs ishte megjithatë e interesuar për modën, kujton ish-shoqja e saj e shkollës, Mirjana Jelancic.
“Asaj i pëlqente gjithashtu të krijonte veshje të reja nga ato të vjetra”, thotë zonja Jelancic.
Ajo ndërpreu studimet universitare dhe me emrin e ri Melania Knauss, ndoqi karrierën e modeles në Evropë. Në vitet 1990, suksesi i saj e solli atë në Shtetet e Bashkuara.
“Si një modele mode dhe dikush që ftohej shpesh në festat luksoze në Nju Jork, me sa kuptoj kështu u takua me Donald Trump-in”, thotë profesorja e historisë Katherine Jellison, nga Universiteti i Ohajos.
Melania Knauss u bë Melania Trump më 22 janar 2005 dhe lindi djalin e saj të parë dhe të vetëm, Barron, një vit më vonë. Në të njëjtin vit, ajo u bë edhe shtetase amerikane.