Me pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka votuar buxhetin për vitin 2025.
Buxheti prej 3.6 miliardë euro, dërgohet për seancën e Kuvendit për votim në parim.
Gjatë prezantimit të buxhetit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se ky buxhet parashihet të financohet nga të hyrat buxhetore në nivelin e 3 miliardë e 305 milionë euro, kurse pjesa tjetër prej 300 milionë euro do të jetë deficiti buxhetore.
“Buxheti për vitin e ardhshëm parashihet të jetë 3.6 miliardë eurosh, ndërkaq ky buxhet parashihet të financohet nga të hyrat buxhetore në nivelin e 3 miliardë e 305 milionë euro, kurse pjesa tjetër prej 300 milionë euro do të jetë deficiti buxhetore. Për të ardhur deri te ky buxhet janë marrë parametrat e zhvillimit ekonomik dhe performancës së vitit aktual. Inflacioni deri në shtator ka shënuar rënie në 1.9 për qind”, tha Murati. “Pavarësisht përballjes së situatës së vështirë në nivel global, rritja ekonomike ka shënuar performancë të mirë gjatë këtij viti. Në pjesën e parë të vitit 2024 ekonomia është zgjeruar 4.9 për qind. Deri në fund të vitit presim që ekonomia të zgjerohet në 4.5 për qind në terma real e 6.6 për qind në terma nominal”, ka theksuar ai.
Kritika për këtë buxhet patën partitë opozitare.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka kritikuar ministrin Murati për “ulje të investimeve kapitale dhe rritje të subvencioneve”.
“Si ka mundësi që te çështjet te investimet kapitale se disa zëra buxhetor si Akademia e Drejtësisë, Agjencia e Navigimit Ajror e organizata tjera kanë zero buxhet për investime kapitale. Çka po ndodh me investimet kapitale që po barten nga viti në vit dhe investimet për këtë vit janë vetëm 8 për qind”, tha Shala.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka pasur kritika për bartje të projekteve nga viti në vit. Kritikë pati edhe për mosrealizim të projektit për ndërtimin e urës e Badocit.
“Sot para vetes kemi ligjin për Buxhetin e vitit të ardhshëm dhe mund të them se është ligj me rendësi e veçantë sepse është zhvillimi i vendit dhe mirëqenia e qytetarit. Nga ky buxhet mund të them se është përsëritje e viteve të kaluara. E kam të qartë se nuk po mund ti mbroni dikasteret. E shoh sa ka qenë produktive se sa ju ka shërbyer qytetareve. Kjo qeveri ka dikastere që kanë shpenzuar më së paku investime kapitale. Deri në shtator keni shpenzuar 11 për qind dhe nëse e marrim vitin paraprak sa keni shpenzuar buxhetin. Nëse dikush mund të mbahet mend për bartje të projekteve, është kjo Qeveri. Janë dikasteret r juaja dhe nuk do të kisha dashur të jem në lëkurën tuaj që t’i mbërrijë dikasteret. Sa çerdhe i keni ndërtuar kur keni premtuar 160 çerdhe. Çfarë vështirësie keni pas për me realizua ndërtimin e urës 36 metërshe për urën në Badoc”, u shpreh Lekaj.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, prezantoi premtimet që i ka realizuar Qeveria Kurti, raporton EO.
“Unë këtë buxhet e konsideroj si tranzitor deri në qeverinë e ardhshme. Po i përmendi disa që janë prezantuar me të madhe po që ende nuk kanë filluar. Fondi Sovran, Vettingu, Banka Zhvillimore, Fondi për Sigurime Shëndetësore. Vlerësimi im është se keni abuzuar me të drejtat r juaja ligjore në menaxhim e parasë publike dhe buxhetit të shtetit. Për dy vite më radhë është vonuar alokimi i buxhetit nëpër komuna, mosrealizimi me kohë i shumë projekteve nëpër komuna është edhe për fajin e juaj”, ka deklaruar Hoti.