Pasardhësi i Miroslav Lajçakut pritet të jetë vetëm i dërguar i posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë dhe të mos ketë detyrime tjera lidhur me rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Lajçak në titullin e tij ka edhe detyrat për “çështje tjera rajonale” përveç angazhimit si lehtësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Për këtë rol më herët është përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor.
Pahor gjatë verës vet e kishte konfirmuar se ishte i interesuar për këtë postë dhe e kishte edhe mbështetjen e Qeverisë së vendimit të tij.
Por, ai më pas njoftoi se ai nuk do të garonte për të dërguar të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, pasi ka kuptuar se kërkohet më shumë një nivel diplomatikë sesa politikë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar me lehtësimin e Bashkimit Evropian për më shumë se 13 vjet.
BE-ja vazhdon të ngul këmbë se zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani është detyrim për Kosovën dhe Serbinë, dhe se ky mbetet edhe kusht për avancimin e tyre në procesin e integrimeve evropian.
Burimet diplomatike në BE thonë se ky qëndrim i BE-së nuk do të ndryshojë as në të ardhmen, pa marrë parasysh se kush do të jetë lehtësues në dialog.