Telenews

Petritsch: Sorensen një diplomat me përvojë, por ka nevojë për mbështetje të plotë nga Brukseli, Berlini dhe Parisi

petritsch:-sorensen-nje-diplomat-me-pervoje,-por-ka-nevoje-per-mbeshtetje-te-plote-nga-brukseli,-berlini-dhe-parisi

I dërguari i ri i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është një diplomat me përvojë dhe një ndërmjetës serioz, por për të pasur sukses në atë pozicion ai ka nevojë për mbështetje të fortë nga Brukseli, si dhe nga Berlini dhe Parisi dhe kryeqytetet e vendeve të tjera anëtare të BE-së, thotë Wolfgang Petritsch, i cili ishte i dërguari special i BE-së për Kosovën në fund të viteve 1990.

Kur bëhet fjalë për zgjedhjet e fundit në Kosovë, Petritsch – duke marrë parasysh deklaratat e aktorëve politikë – bën një paralele me situatën në Austri dhe vëren se askush nuk dëshiron të hyjë në koalicion me fituesin. Ai këshillon një qeveri shumëpartiake, me përfshirjen e komunitetit serb.

“Unë e njoh Sorensen personalisht, mendoj se ai është një diplomat me shumë përvojë. Sigurisht, njohja e ‘gjuhës sonë’ nuk është forca e tij, siç ishte rasti me Miroslav Lajçak. Por unë besoj se Sorensen është një ndërmjetës serioz. Megjithatë, ai ka nevojë për mbështetje të plotë politike nga Brukseli, por edhe nga kryeqytete si Berlini dhe Parisi”, thekson Petritsch.

Ai beson se Lajçakut i mungonte pikërisht kjo – mbështetja reale politike nga përfaqësuesi i lartë, paraardhësi i Kaja Kallas, Josep Borrell.

“Shpresoj që Kalas, e cila tani, kuptohet, është plotësisht e fokusuar në luftën në Ukrainë, do të gjejë ende kohë për të përdorur peshën e saj politike për përparim të shpejtë në këtë çështje. Vetëm atëherë Sorensen do të ketë një shans për të përparuar. Ai është një diplomat me përvojë, por ka nevojë për peshën politike të BE-së. Nëse nuk është kështu, nuk do të jetë e mundur të bisedohet me Kurtin apo të bëhet përparim me Beogradin”, deklaroi Petritsch për Kosovo-Online.

Ai deklaroi se për shkak të situatës së vështirë gjeopolitike, veçanërisht luftës në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, duhet kërkuar mbështetje nga BE-ja për një zgjidhje, me shpresën se SHBA-të do të qëndrojnë pas saj. Por, nga ana tjetër, edhe palëve në dialog duhet t’u kërkohet të ecin drejt normalizimit, siç është rënë dakord 10 vjet më parë.

I pyetur nëse BE-ja ka ende fuqi në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në dialog, duke qenë se është e ekspozuar ndaj kritikave nga SHBA-ja dhe Donald Trump, Petritsch shprehet se për shkak të distancimit, të iniciuar në mënyrë të njëanshme nga Uashingtoni dhe kritikave ndaj Evropës, Bashkimi Evropian është duke u dobësuar.

“Bashkimi Evropian nuk është shtet. Me 500 milionë banorë jemi treg i madh dhe faktor i rëndësishëm ekonomik, por ka përçarje mes anëtarëve dhe kjo e dobëson BE-në. Kjo nuk e bën më të lehtë punën në Ballkanin Perëndimor,” përshkruan Petritsch.

Sipas tij, ndoshta në Beograd në veçanti duhet të ketë dëshirë për angazhim konstruktiv për gjetjen e zgjidhjes për serbët në Kosovë, sepse është interes i natyrshëm i Serbisë që serbët në Kosovë më në fund të kenë një jetë më të mirë.

/GazetaSinjali/

The post Petritsch: Sorensen një diplomat me përvojë, por ka nevojë për mbështetje të plotë nga Brukseli, Berlini dhe Parisi appeared first on Sinjali.

Të ngajshme

Ambasadori Rohde ndjek me vëmendje zgjedhjet e Gjermanisë: Natë e gjatë e intensive sonte

Avdyl Rashica

Avokat, biznesmen që ka në pronësi dy avionë privat, profili i Friedrich Merz fituesit të zgjedhjeve në Gjermani

Erzana Fazliu

Vizita e Bin Zayed, nënshkruhen dy marrëveshje Shqipëri-Emiratet e Bashkuara

Valjeta Turkaj