Kryeministri Albin Kurti ka shpërfillur urdhrin e Gjykatës Themelore që të paraqitet në Prokurorinë Speciale për intervistim.
Lidhur me këtë Prokuroria Speciale përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ndaj Kurtit, do të veprohet sipas legjislacionit në fuqi.
Ndërkaq kryeministri Albin Kurti nga Gjilani ku mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të një çerdhe, tha se gjithmonë ka qenë dhe është i gatshëm të jap dëshmi, duke insistuar që këtë ta bëjë në zyrën e tij.
“Unë e mirëpres prokurorinë në Zyrën e Kryeministrit. Ka pasur raste në të kaluarën kur prokurorët hetuesit kanë ardhur për kryeministra jo vetëm si dëshmitar por edhe të pandehur, prandaj nuk ka ndonjë arsye që të mos vazhdohet”, ka thënë Kurti.
Kryeministri nuk ka kursyer sërish akuzat ndaj Prokurorisë Speciale, duke thënë se qëllimi i Prokurorisë nuk është luftimi i krimit dhe korrupsionit por i qeverisë. /Telenews.al/