Telenews

26 vjet nga masakra e Izbicës

Sot 26 vjet më parë policë e paramilitarët serbë kryen një prej masakrave më të rënda kundër shqiptarëve në Kosovë.

Izbica shihej si vend i sigurt për banorët e shumë fshatrave të Skënderajt, që ishin të ekspozuar ndaj sulmeve të serbëve. Një fshat me male përreth. Mijëra shqiptarë kishin shkuar aty më 27 mars. Atë ditë i ishte nënshtruar granatimit, e të nesërmen gati të gjithë meshkujt e rritur kishin ikur në male, duke i lënë kryesisht gratë, fëmijët dhe burrat e vjetër në një lëndinë të fshatit.

Kishte qëlluar Ditë Bajrami.

“Mërzi ma e madhe nuk kish se me i ni thminë t’u kajtë e t’u piskatë për bukë, në Ditë Bajrami”, tregon plaku Hazir Shaqiri, para se të shpërthejë në vaj për përjetimin e shumë vjetëve më parë, shkruan KOHA.

Ai ishte në mesin e rreth 200 burrave që kishin qëndruar në lendinë, duke pritur nga çasti në çast pushtimin e fshatit. Kur policë, ushtarë e paramilitarë kishin mbërritur tek civilët, atyre ua plaçkitën paratë dhe të gjitha gjërat e vlefshme, dhe pastaj i ndanë gratë nga burrat. Gratë dhe fëmijët u urdhëruan të merrnin rrugën për në Shqipëri. Burrat u ekzekutuan gati të gjithë. Pati edhe gra që u qëlluan.

Pos Hazirit, kishte shpëtuar edhe Milazim Thaçi. Ata nuk i kishin kapur breshëritë e plumbave që ishin derdhur në drejtim të burrave që ishin detyruar të bëheshin rresht nga katër, të drejtoheshin me shikim nga mali dhe duart t’i vinin mbi kokë.

“Oh nana jeme, oh nana jeme – bërtitke ni burrë që ishte plagu. O gajret bre, o gajret bre – i thashë. Një tjetër afër më tha të mos flas. Tha po donë me ardhë me na mblu me dhe. Zhagaz ikëm malit”, ishte dëshmia e Milazimit e dhënë menjëherë pas masakrës.

Pas masakrës, kufomat e të vrarëve i varrosën në Izbicë meshkujt që ishin strehuar në mal, por forcat serbe i zhvarrosën më pas, duke i dërguar në lokacione të ndryshme në Kosove e Serbi. Nga 147 të ekzekutuarit, deri më sot disa prej tyre nuk dihet ende se ku ishin varrosur.

Të ngajshme

Gurthemeli i Qendrës për Rehabilitim dhe Arsimim vihet nesër në Graçanicë

KushtrimGuraj

Prime i së martës nis ndryshe, Kelly shfaqet me paruke në duar: Video nuk gjeta dot…

Erzana Fazliu

KUJDES! Ky është mishi i pulës që nuk duhet të konsumoni

KushtrimGuraj