Vlerësimin e pronave të viktimave e kishte bërë vlerësuesi i licencuar Qëndrim Krasniqi.
I kontaktuar nga redaksia, ai ka mohuar t’i ketë përshtatur vlerësimin e pronave, me borxhin që Rexhaj pretendonte t’ia kishin viktimat.
“Krasniqi: As nuk kom ditë as nuk kom pas dijeni për atë far qashje, se nëse kisha pas nuk isha angazhu aty. Te vlera çka kanë ata ndërmjet vete nuk e di as nuk më ka interesu, jon deklaratat që jon jep atje.
Gazetarja: Pretendimi i tyre se e keni vlerësu më pak sesa në realitet e kanë vlerën pronat?
Krasniqi: Opinionet e njerëzve unë smuj me dhanë ndikim të ato. Mirëpo janë organet e tjera që janë mendu ndryshe dhe nuk kisha dashtë me u lëshu ma shumë për këtë cashtje.
Hetuesi Gashi thotë vlerësuesi i angazhuar nga Rexhaj, pra Krasniqi, i kishte vlerësuar pronat përgjysmë më pak sesa vlerësuesi tjetër i pavarur i angazhuar nga prokuroria e Pejës.
“Vlerësuesi pronat e tyre i ka vlerësu diku me 290 mijë euro, kurse ne me Prokurorinë Themelore e kemi bërë, është bërë vlerësimi nga një vlerësues i pavarur e cila rezulton mbi 600 mijë euro. Do të thotë për 130 mijë euro, Aslan Rexhaj ka përvetësu 450 mijë euro prona ma tepër”, ka thënë ish-hetuesi Gashi.
Me të përfunduar afati për kryerjen e pagesave, lënda ishte dorëzuar për përmbarim tek përmbaruesi Fadil Hoxha.
Mirëpo, përmbaruesi Hoxha, sipas viktimës ishte vënë në dijeni se cilat ishin arsyet e këtij epilogu të pronave.
“Bashkëshorti jem ka shku të përmbaruesi i kemi video incizimet i kemi faktet që këto pare nuk janë të tina, këto jon fajde, edhe ai ka thanë që unë nuk kom çka me bo se këto jon me krejt dokumenta. Se ai ka bo gjithçka me ligj nëpërmjet llogarive me kontrata, edhe qashtu veçse e pam që s’kemi rrugëdalje”, ka thënë viktima V.I.
“Ish-rreshteri Gashi: Përmbaruesi Fadil Hoxha e ka kthy landën prap edhe ju ka thanë plotësone edhe me disa dëshmi sepse nuk po përputhen ai dokumentacion me dokumentacionin që duhet me u realizu në përmbarim.
Ish-rreshteri Gashi: E kanë detyru viktimën që t’ia qësin edhe 40 mijë euro, mirëpo e kanë detyru ia kanë qit, edhe u bo ai transaksion që të vie ajo vlerë që të kryhet përmbarimi.
Gazetarja: Dhe më pas është bërë përmbarimi. Dhe pikërisht këtë herën e dytë përmbaruesi është njoftuar se është duke u zhvilluar një hetim?
Ish-rreshteri Gashi: Ka qenë paraprakisht ka qenë sepse Prokuroria Themelore duke e hetuar rastin dhe ia ka dërguar me shkresë se i njëjti është në hetim për fajde dhe detyrim dhe nuk e ka stopu përmbarimin. Mirëpo ka fillu me procedurat që ka ardh deri te realizimi i të dyshuarit për me i qit pronat në emër të vet”, ka thënë Gashi, atëher hetues i lëndës.
I kontaktuar Hoxha nuk ka dashur të prononcohet.
Ndërsa, shkurtimisht në një përgjigje me shkrim ka thënë se hetimet ndaj tij kanë pushuar.
Me të përfunduar procedura përmbarimore, parcelat, shtëpitë dhe lokali i punëtorisë në vlerë mbi 480 mijë euro kishin kaluar në pronësi të Rexhajt.
Meqë viktimat kishin raportuar rastin në organet ndjëse, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar të Policisë së Kosovës kishte ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Pejës.
Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Sahide Gashi, bazuar në kallëzim penal dhe hetimin paraprak, më 8 nëntor 2021 kishte marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj Aslan Rexhajt për kryerjen e veprave penale “fajdeja” dhe “detyrim”.
Gjatë hetimeve, prova ishin siguruar edhe ndaj mbi 30 personave të tjera që lidheshin me veprat e njëjta penale.
Ndërsa, më 26 tetor 2022, prokurorja Gashi kishte pranuar kallëzim penal nga atëherë rreshteri Kadri Gashi, edhe ndaj avokatit Dritëro Kollçaku për ndihmë në kryerjen e veprës penale “fajdeja”, ndaj noterit Bashkim Stavileci, përmbaruesit privat Fadil Hoxha dhe Qëndrim Krasniqit vlerësuesit të licencuar të pronave për kryerjen e veprës penale keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Andaj, prokuroria kishte zgjeruar hetimet edhe ndaj tyre më 4 nëntor 2022.
“Gjatë hetimeve tona kemi vërejt se këtu ka të bëjë me një grup të organizuar kriminal dhe kam bërë kërkesë në Prokurorinë Themelore në Pejë për zgjerimin e hetimeve ndaj Dritëro Kollçaut, përmbaruesit, noterit, avokatit Dritëro Kollçakut, vlerësuesit të licencuar të pronave”, ka thënë hetuesi i lëndës, Kadri Gashi.

