Modelja australiane, Sahara Ray, e cila në vitin 2016 u përfol për lidhjen me këngëtarin Justin Bieber, ka vdekur në moshën 34-vjeçare.
Sipas raportimeve të mediave, ajo dyshohet se ndërroi jetë pas një mbidoze me fentanil, vetëm disa muaj pasi ishte bërë nënë për herë të parë.
Sipas Daily Mail, modelja u dërgua me urgjencë në një spital në Los Angeles, ku u mbajt në aparatura.
Sahara
Familjarët e saj morën vendimin e vështirë që ta shkëputnin nga aparaturat të dielën, raportoi gazeta britanike.
Nëna e saj, Gretchen Bach, e kujtoi Saharan si një grua të re plot pasion dhe dashuri për familjen, modën, vajzën e saj Snow dhe sërfin.
Ajo falënderoi gjithashtu të gjithë ata që i kanë mbështetur në këtë periudhë të vështirë.
Përveç karrierës në modeling, Sahara kishte folur publikisht edhe për problemet e saj shëndetësore.
Sahara
Në prill të vitit 2024, ajo zbuloi se vuante nga sindroma Guillain-Barre, një sëmundje e rrallë autoimune që prek nervat periferikë.
Sipas asaj që kishte treguar vetë modelja, problemet shëndetësore nisën pas një aksidenti, kur u godit nga një makinë.
Gjendja i shkaktoi paralizë të pjesshme dhe e detyroi të përdorte karrocë me rrota për një periudhë.

