Telenews

Protesta në Tiranë: 271 të arrestuar për shtatë ditë

Policia e Shtetit ka arrestuar 33 persona dhe ka proceduar penalisht 41 të tjerë pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë.

Sipas policisë, gjatë tubimit janë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve dhe automjeteve të policisë, ndërsa janë dëmtuar edhe kosha mbeturinash dhe tabela të sinjalistikës rrugore.

Në njoftimin zyrtar, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë bën me dije se mes personave të arrestuar janë edhe gjashtë të mitur, të moshave 15 dhe 17 vjeç.

Sipas policisë, personat e arrestuar dyshohen se kanë marrë pjesë në veprime të dhunshme gjatë tubimit, duke qëlluar me gurë dhe sende të tjera të forta ndaj punonjësve të policisë, si dhe duke dëmtuar pronën publike me sende të forta dhe me zjarr.

Si pasojë e incidenteve të regjistruara gjatë protestës, shtatë punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar.

271 të arrestuar gjatë 7 ditëve të protestave

Policia bën të ditur gjithashtu se gjatë 7 ditëve të protestave janë arrestuar gjithsej 271 persona. Sipas autoriteteve, 51 prej tyre kanë precedentë penalë për vepra të ndryshme, përfshirë vrasjen, plagosjen, armëmbajtjen pa leje, prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, vjedhjen, mashtrimin, falsifikimin e dokumenteve dhe kundërshtimin e punonjësve të policisë.

Në njoftim përmenden edhe precedentë të tjerë penalë që lidhen me pjesëmarrjen në grumbullime të paligjshme, mbajtjen pa leje të armëve të ftohta dhe vepra në fushën e mjedisit dhe të qarkullimit rrugor.

Policia thekson se veprimet hetimore dhe procedurale për rastet e regjistruara vijojnë.

 

Të ngajshme

Enver Hoxhaj zyrtarizohet si përfaqësues i PDK-së në Grupin Punues për Apelin në Hagë

Rrezarta Ramaj

Jakup Krasniqi dhe Bill Clinton në një fotografi nga arkivi i Kuvendit të Kosovës

Rrezarta Ramaj

Procesi i Berlinit, Albin Kurti e Edi Rama në listën e të ftuarve

Rrezarta Ramaj