Policia e Kosovës ka arrestuar së fundi 16 shtetas serbë, në mesin e të cilëve kishte edhe oficerë aktiv të sigurisë së Serbisë.
Kjo është bërë e ditur së fundi edhe nga Ministria e Brendshme, saktësisht nga i pari i kësaj ministrie Xhelal Sveçla.
Grupi i parë i arrestuar në këtë rast i përbërë nga katër persona, u ndaluan në Gjakovë kurse 12 personat e tjerë u ndaluan në qytetin e Prizrenit.
Të arrestuarit po udhëtonin në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë. Përgjatë kontrollit nga ana e policisë janë gjetur prova që i lidhnin ata me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe dhe me anëtarë të grupit terrorist që morën pjesë në sulmin e armatosur në Banjskë.
Në mesin e provave të sekuestruara janë gjetur edhe fotografi me hartën e Kosovës, imazhe të pjesëtarëve të vrarë të grupit terrorist të Banjskës dhe një sopat dhe një dritë rotative dhe dy thika.
Për ndalimin e këtyre personave të dyshimtë në Gjakovë ka raportuar edhe Policia e Kosovës, por edhe në njoftimin e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që u mbaj të të dielën – është folur në lidhje me këtë rast.
Të arrestuarit në Gjakovë janë: Branko Rakiq me vendbanim në Mitrovicë te veriut, Nemanja Vamokiq toger i policisë me vendbanim në Novi Sad, Pavle Kragoviq, me vendbanim në Beograd, Millovan Steviq, kapiten dhe agjent i ushtrisë serbe me vendbanim në Mitrovicë të veriut.
Ministri në detyrë, Xhelal Svecla deklaroi se 12 personat e ndaluar në Prizreni po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogoosllavisë.
https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=1182722577197350&id=100063788556625&ref=embed_post
“Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”, u shpreh Sveçla.
Ministri bëri të ditur se njëri nga të arrestuarit është identifikuar si i afërm i të dyshuarit kryesor për vrasjen e Afrim Bunjakut, Vladimir Radivojeviq, i njohur si “Mami”.
Ndërkaq, zyrtari tjetër i ndaluar është një kapiten i klasit të parë i ushtrisë serbe, i cili, sipas Sveçlës, ka lidhje me ish-gjeneralin e inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanoviq.
Këta persona janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka ngritur alarmin se Serbia po vazhdon përpjekjet për të penguar formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, duke ushtruar ndikim tek disa deputetë të komuniteteve joserbe.
Kurti theksoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vënë në dispozicion të Listës Serbe dhe Milan Radoiçiqit burime dhe mjete shtetërore për të realizuar këtë ndikim.
“Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ua ka dhënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore për këtë Listës Serbe dhe kryeterroristit Milan Radoiçiq, i cili në agresionin kriminal e terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023 ishte nënkryetar de jure i Listës Serbe, kurse tani është kryetar de facto i këtij subjekti politik. Në shënjestër janë disa deputetë të pakicave joserbe”, shkroi Kurti.
E drejtori Rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, ndau në Facebook fotografinë e hartës së gjetur dhe lavdëroi angazhimin e zyrtarëve policorë për parandalimin e një operacioni të mundshëm me prapavijë të dyshimtë.
“Edhe kësaj radhe, si shumë herë më parë, djem e vajza që me devotshmëri i shërbejnë atdheut triumfuan përballë strukturave shtetërore kriminale serbe… Krenar e mirënjohës pa fund për secilin polic e police të DRP Gjakovë për vigjilencën e angazhimin e tyre në shërbim të atdheut”, ka shkruar ndër të tjera Graishta.
Kujtojmë se nga 12 serbët e arrestuar në Prizren, 10 prej tyre janë liruar, kurse dy janë ndaluar për prezantim të rremë si pjesëtarë të MUP-it.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili ka bërë të ditur se rasti është zbuluar pas veprimeve operative-hetimore të ndërmarra nga sektori i hetimeve në Prizren.
Këto zhvillime nxiten edhe reagime nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, e cila u shpreh se nga mediat ka mësuar se persona që natën paraprake kanë qenë mysafirë të Seminarit, duke theksuar se
Kisha nuk mund të ketë njohuri se kush janë të gjithë pelegrinët që marrin pjesë në shërbesa apo edhe në këtë seminar.
“Çdo insinuatë se personat e përmendur, duke qëndruar në pjesën e mysafirëve të Seminarit, kinse kanë shfrytëzuar ‘institucionin fetar për maskim dhe për nxitje të tensioneve ndëretnike dhe fetare në Kosovë’, siç thuhet në komunikatën e sotme të Policisë së Kosovës, është krejtësisht e papërgjegjshme dhe nuk bazohet në fakte konkrete”, tha Dioqeza Rashkës dhe Prizrenit.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e ndaluar kishin shkuar për të vizituar Seminarin Teologjik dhe manastiret përreth Prizrenit.
“Imagjinoni, disa nga këta persona janë edhe pjesëtarë të strukturave të sigurisë, dhe pastaj u kanë gjetur, thonë, një thikë dhe një sëpatë të thyer – është krejtësisht e qartë se nuk shërbejnë për asgjë tjetër, përveç për ndonjë përdorim privat dhe nevoja personale”, u shpreh Vuçiq.