Telenews

“Nuk heqim dorë nga Albulena Haxhiu”, “LDK ndoshta ka preferenca tjera për koalicione”, krejt çka tha Kurti sot

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje që u mbajt sot foli për moskonstituimin e Kuvendit, letrën që ia dërgoi Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicion, e që kjo e fundit e refuzoi, si dhe për mundësinë e shkuarjes në zgjedhjet të reja.

Albin Kurti e bëri të qartë se nuk heqin dorë dhe e propozuara e partisë së tij për kryetare të Kuvendit do të vazhdojë të jetë Albulena Haxhiu edhe pse kjo e fundit qe disa përpjekje me radhë ka dështuar të marrë 61 votat e nevojshme.

Kreu i VV-së e bëri të qartë se emri i partisë së tyre për kryeparlamenatare është Albulena Haxhiu, ndërsa tregoi edhe si e njohu atë.

“Ne kemi të drejtën kushtetuese për të zgjedhur dhe emëruar përfaqësuesit tanë, dhe këtë të drejtë po e ushtrojmë me përgjegjshmëri. Ne kemi kandidatin më të votuar për këtë post, Albulena Haxhiun, mbesën e heroit Ahmet Haxhiu, dhe nuk heqim dorë nga kjo kandidaturë”.

“Partitë nuk duhet t’ia zgjedhin njëri-tjetrit propozimet e kandidatët, andaj Albulena Haxhiu është emri i VETËVENDOSJE!-s për kryetaren e Kuvendit të Republikës. Por, fare shkurtimisht do kisha dashur të tregoj prej nga vjen njohja ime me Albulenën. Gjyshi i Albulenës, Ahmet Haxhiu, ishte një nga veprimtarët e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH) dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Adem Demaçit, bacës Adem. Në vitin 1991, ai dërgonte armë në Drenicë, duke mbështetur kështu Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në vitin 1993, ai u arrestua nga Serbia dhe, pas torturave të rënda, vdiq më 6 korrik të vitit 1994. Mbesa e tij, Albulena është deputetja më e votuar e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e viteve 2019 dhe 2021, e tash në 2025, është deputetja më e votuar e legjislaturës së nëntë me mbi 125 mijë vota. E në seancën konstituive Albulena tash për tash i ka 57 vota, 48 të VETËVENDOSJE!-s dhe 9 të pakicave e ku bëjnë pjesë: dy boshnjakë, dy turq, dy egjiptianë, një serb, një rom dhe një ashkali. Pra, Albulena ka mbështetjen edhe të komuniteteve tjera”, ka thënë Kurti në mbledhjen e sotme të partisë.

Ai tha se bllokimi i Kuvendit vjen nga ata që votojnë kundër, ose nuk votojnë fare.

“Ne s’jemi bllokuar sepse kemi propozuar kandidatin tonë. E kemi bërë në fillim menjëherë. Bllokimi vjen prej atyre që votojnë kundër apo ata që s’votojnë fare. Propozimi ynë për kryetare të Kuvendit është Albulena Haxhiu. Të tjerët re ti ruajnë propozimet e tyre kur t’iu vijë radha atyre. Si fitues na takon kryetari i një nënkryetar dhe katër nënkryetar partive të tjera”, ka thënë Kurti.

Ai tha se mund të bëjë kompromise për formimin e Qeverisë, por jo për konsituimin e Kuvendit, pasi siç pohoi ju takon të gjithëve.

“Nuk po i kërkojmë opozitës ta votojnë qeverine, por krytaren e Kuvendit. Nuk kemi propozu thjesht një emër, por një grua që është më e votuara në Kosovë. Disa thonë dikë tjetër por jo Albulena Haxhiun. Propozimi është i yni, nuk po kërkojmë që Albulena të jetë propozimi i tyre. Unë mund të bëjë kompromise për formim të qeverisë, por jo edhe për konstituimin e Kuvendit sepse na takon të gjithëve”, tha Kurti.

Refuzimi për koalicion nga LDK, kundërpërgjigjja e Kurtit

Kurti në mbledhjen e sotme foli edhe për letrën që ia dërgoi LDK-së për koalicion, por që u refuzua.

Ai tha se LDK do të duhej ta kishte më të lehtë koalicion me VV-në, ndërsa ‘thumboi’ paksa partinë e Lumir Abdixhikut duke thënë se mund të ketë preferenca të tjera.

“E shkrova edhe një letër tjetër për marrëveshje politike për koalicion Lëvizja VETËVENDOSJE!-Lidhja Demokratike e Kosovës, por edhe ajo u refuzua mjaft ashpër. Lidhja Demokratike e Kosovës në vitin 2020 bëri koalicion me Lëvizjen VETËVENDOSJE!; tani, pas reformave, do të duhej të ishte edhe më e lehtë të bënin koalicion me ne, por nuk po ngjan ashtu – ndoshta rruga e re ka preferenca tjera. Ne duam qeveri normale, jo qeveri të përkohshme apo tranzitore apo teknike.”, tha Kurti, shkruan Reporteri.net.

“Mund ta thellojmë rezultatin nëse zgjedhjet përsëriten”

Kurti foli edhe për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja, nëse nuk arrihet të gjendet një zgjidhje.

Ai paralajmëroi partitë opozitare që nëse shkohet në zgjedhje, VV do të thellojë rezultatin.

“Zgjedhjet mund të përsëriten, rezultati jo veç që mund të përsëritet, por edhe mund të thellohet në favor të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Kurti.

Kurti, ka thënë se në vendin tonë nuk ka krizë institucionale por vakum kushtetues.

“Nuk kemi krizë se institucionet e shtetit demokratik funksionojnë, organet e rendit dhe sigurisë veprojne, ligjet zbatohen, vetëm Kuvendi i ri nuk është konstituar”, tha Kurti.

Kujtojmë se nesër nga ora 11:00 do të jetë përpjekja e 14-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Të ngajshme

Blero paralajmëron albumin e fundit, a po ndahet nga muzika?

Erzana Fazliu

Arrestohet polici në Gjilan për dhunë në familje, suspendohet nga Policia e Kosovës

Erzana Fazliu

Xheneta Fetahu “thumbon” Drilonin?-“Prezenca ime është alarm”

Erzana Fazliu