Tre shqiptarë kanë rënë në pranga për vrasjen e një noteres 69-vjeçare në Zakynthos në Greqi, në shkurt të këtij viti, teksa tentuan ta grabisnin në banesën e saj.
Të arrestuar janë baba e bir dhe xhaxhai, të cilët i bënë prit noteres teksa ajo kthehej në shtëpi dhe u futën me dhunë në banesë.
Çelësi për zbardhjen e ngjarjes, sipas burimeve hetimore, ishte arrestimi i njërit prej autorëve që jetonte në Nemea. Gjatë marrjes në pyetje dhe pasi iu paraqitën provat, ai rrëfeu në detaje çfarë kishte ndodhur natën fatale.
Sipas dëshmisë së tij, ai kishte udhëtuar drejt Zakynthosit një ditë para vrasjes, pasi ishte në kontakt me një tjetër bashkëpunëtor që jetonte në ishull dhe që e dinte se viktima kishte para në shtëpi. Të dy vëllezërit u strehuan në një ambient me qira të marrë nga djali i cili kishte rolin e shoferit dhe të nesërmen, të maskuar me kapuçë, doreza dhe maska, i zunë pritë viktimës pranë banesës së saj. Sipas dëshmisë, kur noterja u përpoq të rezistonte u godit me thikë në kofshë dhe humbi jetën për shkak të hemorragjisë së madhe
Pas ngjarjes, dy nga autorët u larguan në këmbë për rreth një orë dhe më pas thirrën djalin e të parit për t’i marrë me makinë. Gjatë rrugës hodhën thikat dhe dogjën rrobat për të humbur gjurmët.
Për rreth dy muaj pas vrasjes, ata thuhet se nuk kontaktuan fare mes tyre, përveç disa telefonatave të rralla, në përpjekje për të shmangur lidhjen e tyre me ngjarjen.
Sipas informacioneve policore, të dy burrat, babai dhe vëllai i tij nga Nemea, punonin në ndërtim dhe vendosën të kryenin grabitjen, me në shënjestër noteren që banonte vetëm. Djali i autorit të dyshuar kryesor kishte rolin e shoferit.
Ai që goditi viktimën me thikë në pjesën e brendshme të kofshës së majtë, duke i shkaktuar një hemorragji të pakontrollueshme, besohet të jetë babai. Megjithatë, ai nuk e ka pranuar autorësinë e aktit, ndryshe nga bashkëpunëtorët e tij, përfshirë edhe të birin.
Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se vdekja kishte ardhur si pasojë e një plage të shkaktuar nga mjet i mprehtë dhe shpues, e cila shkaktoi gjakderdhje masive dhe vdekje të shpejtë.