Telenews

BE mbledh Ministrat e Jashtëm sot në Bruksel

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian po mblidhen sot në Bruksel për të diskutuar mbi situatën alarmante në Lindjen e Mesme, në një kohë kur shqetësimi ndërkombëtar është rritur ndjeshëm pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore në Iran.

Këto veprime të SHBA-së vijnë në mbështetje të ofensivës së vazhdueshme që Izraeli ka ndërmarrë ditët e fundit kundër objektivave iraniane.

Burime ndërkombëtare raportojnë se një nga pikat kryesore të diskutimit do të jetë se si Bashkimi Evropian mund të ndihmojë në uljen e tensioneve dhe në nxitjen e një procesi të ri negociatash mes palëve të përfshira në konflikt. Mes thirrjeve për vetëpërmbajtje, zërat diplomatikë të BE-së janë bërë më të fortë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon.

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, në një deklaratë të bërë të dielën, u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ndalen dhe të rifillojnë dialogun.
“Të gjitha palët të bëjnë një hap pas, të rikthehen në tryezën e negociatave dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm,” ka deklaruar Kallas.

Në axhendën e takimit të sotëm është përfshirë gjithashtu edhe diskutimi mbi një raport të publikuar nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), i cili vë në pikëpyetje përputhshmërinë e veprimeve të Izraelit në Rripin e Gazës me parimet e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael.

Sipas raportit të publikuar të premten, “ka shenja se Izraeli po shkel detyrimet e tij në lidhje me të drejtat e njeriut, bazuar në nenin 2 të Marrëveshjes së Asociimit.”

Dokumenti thekson se “masat kufizuese të vazhdueshme që Izraeli vendos për furnizimin me ushqime, barna, pajisje mjekësore dhe ndihma të tjera jetike po ndikojnë në të gjithë popullsinë e Gazës.”

Por pala izraelite ka reaguar me zemërim ndaj këtij vlerësimi të BE-së. Një zyrtar izraelit, i pyetur të premten për këtë çështje, e ka cilësuar raportin si të padrejtë dhe të pabalancuar.
“Raporti përfaqëson një shembull të standardeve të dyfishta që BE-ja aplikon ndaj Izraelit,” ka deklaruar zyrtari.

Situata në Lindjen e Mesme mbetet tejet e tensionuar dhe BE-ja, me këtë takim të jashtëzakonshëm, synon të luajë një rol aktiv në de-përshkallëzimin e krizës dhe në ruajtjen e stabilitetit rajonal, ndërsa thirrjet për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për zgjidhje diplomatike janë në qendër të përpjekjeve evropiane.

Të ngajshme

Vëllai i Festim Isufit: Kam informata se në këtë rast është i përfshirë edhe një person i tretë

Valjeta Turkaj

NATO kërkon nga Serbia ndjekjen penale të grupit të Banjskës dhe sulmuesve të KFOR-it në Zveçan

Valjeta Turkaj

“S’do derdhim asnjë lot nëse bie regjimi iranian”, thotë ministri izraelit

Valjeta Turkaj