Politikani nga partia Demokracia Serbe, Stefan Velkoviq, është larguar nga hapësirat ku po mbahet manifestimi i Vidovdanit pas refuzimit të kërkesës së policisë që të lirojë hapësirat.
Ai kishte veshur një bluzë të liderit të partisë së tij, Aleksandar Arsenijeviq, ndërsa atje shkoi me një grup që mbanin në dorë flamurin e Rusisë.
Videon ku policia i kërkon Velkoviqit që të largohet nga hapësirat e Gazimestanit e ka shpërndarë Arsenijeviq nga arratia, duke propaganduar se ai “u arrestua”.
“Stefan Veljkoviq sapo u arrestua në Gazimestan sepse mbante veshur një bluzë me foton time”, shkroi ai.
Ai po kërkohet nga Policia e Kosovës meqë dyshohet se në pronë të tij në fshatin Vallaq të Zveçanit ka pasur të fshehur një arsenal armësh që u kapën në një aksion të organeve të rendit disa ditë më parë.
Zëvendëskomandati i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, pati thënë se në momentin që haset Arsenijeviq, ai do të intervistohet.
“Person me interes për intervistim është ai [Arsenijeviqi]. Në momentin e parë që hasim në të, do të intervistohet dhe më pas prokurori vendos në lidhje me të”, kishte thënë Elshani.