Lëndimi i fundit i Lionel Messit në kofshën e djathtë ka ngritur shqetësime serioze në kampin e Inter Miami dhe Argjentinës. Ai u detyrua të largohej nga fusha pas vetëm 10 minutash në fitoren ndaj Necaxas në Kupën e Ligës.
Ylli 38-vjeçar mund të mungojë deri në pesë ndeshje, duke e komplikuar situatën për trajnerin e Inter Miamit, Javier Mascherano, si dhe për përzgjedhësin e Argjentinës, Lionel Scaloni.
Klubi konfirmoi se dëmtimi është i lehtë, por koha është tejet e pafavorshme. Messi pritet të mungojë të paktën në përballjen e 6 gushtit ndaj Pumas, në fazën e grupeve të Kupës së Ligës.
Më pas, Inter Miami do të ketë katër sfida në MLS kundër Orlando City (10 gusht), LA Galaxy (16 gusht), DC United (23 gusht) dhe Chicago Fire (30 gusht), në të cilat prania e Messit mbetet e pasigurt.
Mediat amerikane raportojnë se mungesa e tij do të varet nga ecuria e rikuperimit, ndërkohë që nuk ka ende një datë të saktë për rikthimin e tij në fushë.
Për Mascheranon, mungesa e kapitenit është një goditje e rëndë, pasi ndikimi i Messit është jetik në ndeshjet vendimtare dhe në ecurinë e sezonit.
Ndikimi i lëndimit shtrihet edhe në përfaqësuesen argjentinase, e cila në shtator përballet me Venezuelën dhe Ekuadorin në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.