Lëvizja Vetëvendosje do ta propozojë sërish Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, në seancën e radhës, që pritet të mbahet pas shpalljes në Gazetën Zyrtare të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me seancën konstituive.
Kështu kanë bërë të ditur nga kjo parti, teksa janë shprehur kundër vendimi të gjykatës.
Por, a pritet që ta zbatojë këtë vendim Vetëvendosje dhe a mund t’i marrë Albulena Haxhiu votat, derisa ka dështuar disa herë?
Lidhur me këtë, ish deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thotë se kemi hyrë në një betejë politike, ku partitë akuzojnë njëra-tjetrën për shumë çështje, derisa të gjitha kanë dëshira për qeverisje.
“Ne kemi një betejë politike në mes të tri poleve politike, dhe kjo betejë ka të bëjë me dëshirën e secilës palë për të qeverisur me Kosovën. Të gjithë po e akuzojnë njëri-tjetrin për korrupsion e krim të organizuar, për shitje territoresh e antiamerikanizëm, çështje të cilat duhen vërtetuar nga organet ligj zbatuese , dhe të vërtetuara nga gjykatat vendore”, shprehet ai.
Sipas Halitit, tani është e domosdoshme që palët t’i shkrijnë pozicionet e tyre në raport me krijimin e institucioneve, pasi pa marrëveshje politike, vështirë të besohet se VV e zbaton vendimin e Kushtetueses.
“Ajo që për momentin është e domosdoshme, mendoj unë, është që palët duhet t’i shkrijnë pozicionet e tyre të ngurtësuara në raport me krijimin e institucioneve. Pa marrëveshje në mes të partive politike, është e vështirë të mendohet që VV do të jetë zbatuese e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, vlerëson ish deputeti.
Ai për Gazeta Blic thekson se nëse nuk ndodh kjo, më afër janë zgjedhjet e reja, se krijimi i institucioneve të reja.
Andaj, Haliti thotë se deputetët duhet të bëjnë marrëveshje dhe të tejkalohet kriza politike.
“Mendoj që, duke pasur parasysh qëndrimet e ngurta e antikushtetuese të palëve, më afër janë zgjedhjet e reja, se sa krijimi i institucioneve. Praktikat e mëhershme për mos përfundimin e seancave, çështje të cilën e ka në kompetencë kryesuesi i seancës, mund të zgjasin pafundësisht. Prandaj deputetët duhet të jenë më fleksibil, sa i përket mundësive për të bërë koalicion dhe për ta kapërcyer krizën politike”, potencon ai.
Ndërsa, sa i përket votave për Albulena Haxhiun, Haliti vlerëson se e gjithë beteja është se kush do të bëhet kryeministër i Kosovës.
“Sa i përket votave të zonjës Haxhiu, mbes në qëndrimin tim të mëparshëm. Beteja është për atë se kush do të bëhet Kryeministër, ose më mirë me thënë kush do të jetë shërbëtori i parë i qytetarëve të Kosovës. Është në ndërgjegjen dhe vendimin e deputetëve se a do ta votojnë apo jo. Megjithatë, mendoj që Kosova për shkak të paaftësisë së partive që të bëjnë zgjedhjen e duhur, po shkon drejt zgjedhjeve të reja”, ka deklaruar ish deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.