Tomas Rosicky, legjenda e futbollit çek dhe drejtori sportiv i Sparta Pragës, ka folur me fjalë shumë pozitive për Albion Rrahmanin, sulmuesin e Kombëtares së Kosovës që po shkëlqen në kampionatin çek.
Në një intervistë për mediat çeke, Rosicky zbuloi se klube të mëdha evropiane kanë treguar interes për Rrahmanin, por lojtari vendosi të vazhdojë rrugëtimin e tij me Spartën.
“Është e qartë që klube nga pesë ligat kryesore kanë qenë të interesuara për të. Megjithatë, nuk ka pasur kurrë asnjë diskutim nga asnjëra palë që ai të mos vazhdonte këtu”, deklaroi Rosicky.
Ai theksoi se Rrahmani po kalon një fazë të rëndësishme zhvillimi, duke u përballur me një stil loje më fizik dhe më agresiv, gjë që sipas tij do ta bëjë edhe më të fortë.
“Albioni ka kaluar situata të rëndësishme që nuk i kishte përjetuar më parë. Tani ai është më i fortë. Do të goditet, do të pengohet, por pikat e tij të forta janë të qarta. Sezonin e kaluar pritëm më shumë nga ai, por tani po tregon veten”, shtoi drejtori sportiv.
Rrahmani ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë një asist në 8 ndeshje këtë sezon, duke u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të klubit çek.