Kandidati për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka ndarë planin e tij për zhvillimin e shëndetësisë në komunë, duke e cilësuar këtë sektor si një nga shtyllat kryesore të programit të tij qeverisës.
Në një takim me profesionistë shëndetësorë, Osmani u shpreh i kënaqur që në ekipin e tij ka tre kandidatë të specializuar dhe të përkushtuar, të cilët janë të gatshëm të kontribuojnë për një mandat katërvjeçar në avancimin e shërbimeve për qytetarët.
Ai prezantoi disa nga prioritetet konkrete, të cilat përfshijnë: hapjen e një Qendre Stomatologjike, ngritjen e një Qendre të veçantë të Urgjencës, ndërtimin e qendrave të reja shëndetësore në qytet, si dhe sigurimin e analizave laboratorike të qasshme për çdo vendbanim.
Sipas Osmanit, këto investime do të garantojnë një shërbim më të shpejtë, më efikas dhe më afër qytetarëve, duke e bërë shëndetësinë lokale një prioritet real dhe të prekshëm për çdo familje të Fushë Kosovës.

