Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me mesazhin elektronik kërcënues që alarmoi sot disa nga institucionet kryesore shtetërore, përfshirë Kryeministrinë, ministritë dhe organet e drejtësisë.
Sipas verifikimeve të kryera nga strukturat e specializuara të hetimit kibernetik dhe antiterrorit, rezulton se e-maili me paralajmërime për sulme terroriste është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.
Në njoftimin e saj zyrtar për mediat, Policia e Shtetit sqaroi mekanizmin e dërgimit dhe ecurinë e hetimeve:
“Mënyra e dërgimit të këtij mesazhi paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur mesazhe të ngjashme kërcënuese janë dërguar nga adresa elektronike të komprometuara, që u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit. Strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë verifikimet dhe veprimet e nevojshme hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij.”
Autoritetet po vijojnë punën në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për zbardhjen e plotë të incidentit kibernetik.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit informon se ditën e sotme është evidentuar një mesazh elektronik (email), i dërguar në disa adresa institucionesh, i cili përmban kërcënime për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste.
Nga verifikimet paraprake rezulton se mesazhi është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.
Mënyra e dërgimit të këtij mesazhi paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur mesazhe të ngjashme kërcënuese janë dërguar nga adresa elektronike të komprometuara, që u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit.
Strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë verifikimet dhe veprimet e nevojshme hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij.

