Erdhi në Kosovë për të studiuar drejtësi ndërkombëtare, por e pa veten duke u përballur me drejtësi, madje për diçka që nuk ia kishte marrë mendja kurrë.
Kjo është historia e Hadias Abdelfetah, një studente nga Egjipti, e cila pati një përvojë të hidhur me një qendër estetike në Prishtinë.
Në qershor të këtij viti, Hadia, e entuziazmuar dhe me besim e rekomandim të mikeshës së saj marokene, vendosi të shkojë në klinikën “Bonsai”.
Hadia, e cila ka rrëfyer për emisionin Kiks Kosova, tha se aty shkoi vetëm për një trajtim fytyre e pak filler.
Por, kjo fjali nga estetistja, “I ke sytë pak të varur,” ia ndryshoi asaj mendjen.
Sugjerimit të estetistes për t’ia injektuar botoksin në qepallë, ajo thotë se ia pa sherrin.
Hadia thotë se syri kishte nisur t’i mbyllej dhe të merrte infeksion një javë pas injektimit të botoksit.
Studentia egjiptiane, më 24 qershor kishte kontaktuar me Blerta Berishën pronarën e klinikës “Bonsai”, e njëjta ia kishte bërë ndërhyrjen për tërheqjen e syrit.
Në mesazhe i thoshte, se pas injektimit nuk ka mundur ta hap syrin dhe ka pasur dhimbje të mëdha.
Pronarja e klinikës, e kishte thirrur në vizitë menjëherë të nesërmen për ta kontrolluar, por Hadia tregoi se ishte shokuar nga sjellja e saj.
E ndodhur në një situatë krejt të papritur Hadia u mundua që të kërkoj ndihmë në klinika të tjera në Prishtinë.
Egjiptianja, e cila duhej të udhëtonte më pas për të studiuar edhe në Bullgari, tregon se si i ishte përkeqësuar syri atje.
Mjekët në Bullgari i kishin thënë se botoksi ia kishte shkaktuar infeksionin dhe madje ishin gjasat që të verbohej.
Gjatë këtyre muajve, Hadia thotë se jetoi me panik dhe lot, nga frika se mund ta humbas shikimin tek syri i dëmtuar.
Por tani, ajo thotë se ka përmirësime të dukshme dhe mund të shohë.
Përveç dëmit shpirtëror që e gjithë kjo histori kishte shkaktuar sipas Hadias, nuk mungoi as kostoja e lartë e shpenzimeve.
Sipas saj, estesitja Blerta ka pranuar që t’ia kthejë paratë vetëm për ndërhyrjen, por jo edhe t’i mbulojë pjesën e shpenzimeve më pas.
Tani, e penduar për të gjitha ndërhyrjet që ka bërë, ajo shpreson të vazhdojë trajtimin në vendlindje.