Aktorja amerikane Angelina Jolie ka shkruar në detaje se sa i vështirë ishte divorci i saj nga Brad Pitt gjatë betejës së tyre ligjore për pronën dhe vreshtarinë Chateau Miraval në Francë.
“Ngjarjet që çuan në nevojën time për t’u ndarë nga ish-burri im ishin emocionalisht të vështira për mua dhe fëmijët tanë. Kur paraqita kërkesën për divorc, i dhashë atij kontrollin e shtëpive tona familjare në Los Angeles dhe Miraval, pa kompensim. Shpresoja që kjo do ta qetësonte atë pas një periudhe të vështirë dhe traumatike”, deklaroi ajo.
Ajo shkroi më tej se ajo dhe fëmijët e saj Maddox, Pax, Zahara, Shiloh, Knox dhe Vivienne nuk kanë shkelur në pronën e lartpërmendur që nga divorci i tyre sepse u sjell kujtime të dhimbshme.
“Pas divorcit, menjëherë fillova të kërkoja një shtëpi të re për mua dhe fëmijët tanë. Fillimisht e mora me qira shtëpinë ndërsa kërkoja një zgjidhje më të qëndrueshme”, shtoi ajo.
Brad e paditi Angelinën për pjesën e saj të pasurisë franceze, duke pretenduar se ajo ia shiti aksionet e saj markës së verës Stoli Group pa lejen e tij. Aktorja pretendon se nuk kishte nevojë për lejen e tij për ta bërë këtë.
Foto: Andreas Rentz / Getty Images