Kandidati për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besnik Osmani, ka marrë pjesë sot në aktivitetin informues për sportistët e komunës, ku u prezantua Palestra e re Multifunksionale e Sportit dhe Kulturës — një nga projektet më të mëdha komunale të viteve të fundit.
Projekti, me vlerë 2.2 milionë euro dhe sipërfaqe prej 2500 metrash katrorë, do të shërbejë si një qendër moderne për zhvillimin e sportit dhe aktiviteteve kulturore në komunë. Palestra përfshin:
Sallë bashkëkohore me standarde të larta
1100 ulëse për shikuesit
Hapësira funksionale dhe fusha të jashtme sportive
Sipas Osmanit, ky investim është dëshmi e përkushtimit për krijimin e kushteve të reja për sportistët, të rinjtë dhe komunitetin në tërësi. Ai theksoi se një infrastrukturë e tillë e vendos Fushë Kosovën në një nivel të ri të zhvillimit sportiv dhe kulturor.
Palestra pritet të hapet shumë shpejt, duke u bërë një hapësirë e rëndësishme për aktivitetet sportive dhe kulturore të komunës.