Raportohet se mëngjesin e sotëm kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me presidenten Vjosa Osmani.
Takimi vjen një ditë para se përfundojë afati dhjetë ditor brenda të cilit presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër ose të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Telegrafi ka dërguar pyetje në Presidencë dhe Qeveri lidhur me takimin, por deri tani nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Më 26 tetor, në Kuvendin e Kosovës dështoi votimi për formimin e Qeverisë “Kurti 3”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, paraqiti para deputetëve kabinetin e tij të ri qeveritar, por propozimi nuk u miratua, pasi mori vetëm 56 vota për. Pas këtij zhvillimi, presidentja Osmani nisi konsultimet me subjektet politike. Të premten ajo mbajti një takim të përbashkët me liderët e partive, ku u diskutua për hapat e mëtejshëm.
Pas takimit, Osmani deklaroi se do të bëjë gjithçka që është e mundur për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.


