Ministrja turke e Familjes dhe Shërbimeve Sociale, Mahinur Ozdemir Goktaş, ka theksuar se po bie norma e lindshmërisë në Turqi dhe e ka vlerësuar këtë problem si një çështje të mbijetesës kombëtare, pasi gjysma e amvisërive nuk kanë fëmijë.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare, Goktaş ka treguar se numri i fëmijëve të moshës së shkollës fillore do të zvogëlohet për 900 mijë gjatë pesë viteve të ardhshme, raporton Hurriyet.
Sipas saj, sfidat me të cilat po përballen familjet janë pasojë e dobësimit të institucionit të familjes. Ministrja ka arsyetuar vendimin e qeverisë që viti 2025 të shpallet “Viti i Familjes”, duke theksuar se kjo është një fushatë që është në shënjestër të diskreditimit dhe dezinformimit.
Goktaş ka kritikuar përpjekjet për të vendosur përballë njëra-tjetrës konceptin e familjes dhe të drejtave të grave, duke theksuar se ata që e madhërojnë njërën dhe e minojnë tjetrën, në fakt i dobësojnë të dyja.
Ajo gjithashtu ka vlerësuar se po rriten individualizmi dhe izolimi shoqëror dhe se ulja e popullsisë në Turqi nuk mund të shpjegohet vetëm me faktorë ekonomikë.
Norma e lindshmërisë në Turqi ka pësuar një ulje të vazhdueshme gjatë disa viteve të fundit. Si rrjedhojë, qeveria ka ndërmarrë masa për rritjen e saj, përfshirë mbështetjen financiare për prindërit.

