Telenews

Çitaku i përgjigjet Hoxhajt: E inkurajojmë garën e brendshme, me statut konventa mbahet brenda 5 ditësh

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku i është përgjigjur deputetit, Enver Hoxhaj, i cili sot ka kërkuar që të shtyhet konventa për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

Çitaku në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se në mbledhjen e fundit të Kryesisë, pas dorëheqjes së kryetarit Memli Krasniqi, kryesia vendosi të thërrasë Konventën e Jashtëzakonshme, e cila, bazuar në nenin 35 të Statutit të Partisë, duhet të mbahet brenda pesë ditësh.

“Ne e inkurajojmë dhe e mirëpresim garën e brendshme. Çdo anëtar apo anëtare që i plotëson kriteret e përcaktuara me Statut është i mirëseardhur të kandidojë. Gara do ta bënte Konventën edhe më madhështore”, ka thënë Çitaku.

Tutje bëhet e ditur se më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja jonë në zgjedhjet parlamentare

“Për secilin prej nesh, qofshim në garë ose jo, është thelbësore që në përfundim të këtij procesi të dalim të unifikuar, me vizion të qartë dhe me platformë të fortë për zgjedhjet e përgjithshme që na presin shumë shpejt. Më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja jonë në zgjedhjet parlamentare. Sepse beteja kryesore politike për secilin prej nesh është ajo se kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Çitaku.

Ndryshe, Enver Hoxhaj, duke theksuar se konventa duhet të shtyhet për të dielën e ardhshëm.

“Konventa e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e partisë duhet të shtyhet, sepse një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër. Kërkoj nga Kryesia e PDK-së shtyrjen e Konventës për të paktën deri të dielën e ardhshme, sepse kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin”, tha Hoxhaj.

Sipas tij, kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme.

“Kjo nguti nuk garanton garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e kërkuar e të domosdoshëm për PDK-në në këtë kohë. Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi për delegatët që të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale, duke çuar në ndërtimin e një platforme të përbashkët për PDK-në”, theksoi ai.

Mes tjerash, ai ka pohuar se “për një vendimmarrje kaq të rëndësishme, kërkoj që procesi zgjedhor të shtyhet, në mënyrë që gara të hapet për të gjithë dhe baza të ketë kohën e duhur për të shprehur vullnetin e saj pa presion dhe pa imponime”.

“Dorëheqja e kryetarit, e shoqëruar me preferenca për pasuesin, krijon përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara, të cilat nuk e çojnë partinë përpara. Unë jam qartësisht kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët. PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”.

Ndryshe, Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje para disa ditësh, ndërsa deri tani Bedri Hamza ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të PDK-së.

Të ngajshme

Prizrenasi e goditi zyrtarin e Postës së Kosovës, e vëllai i tij më pas e rrahu dëshmitarin e rastit

Donat Hashani

Ali Ahmeti: Hill e konfirmoi që vetëm Millosheviqi e konsideronte UÇK- në si kriminele dhe askush tjetër

Donat Hashani

E fundit, PZAP merr vendim për ankesën e PDK-së për Mitrovicën e Jugut

Donat Hashani