220 xehtarë u punësuan sivjet në Korporatën Energjetike të Kosovës. Në fillimvit, Kiksi Kosova raportoi se si lista e të punësuarve dominohej nga anëtarë, simpatizantë e familjarë të zyrtarëve të Vetëvendosjes.
Konkursi për manipulues të shiritave transportues u hap në shtator të 2024-ës, e punësimi nuk u bë deri më 6 janar të 2025-ës.
Veç pesë ditë pa nisur zyrtarisht fushata zgjedhore e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, si kurrë më parë, kryeministri, Albin Kurti bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e Valon Prebezën që tash është kryetar i Fushë-Kosovës shpërndanë kartelat e punësimit për punëtorët e rinj.
Lista e të punësuarve nuk u publikua kurrë, madje KEK-u e mbajti të fshehur këtë listë edhe kur emisioni bëri kërkesë për qasje në dokumente publike.
E kur ky dokument u sigurua nga burimet e Kiksit brenda koorporatës energjetike, u zbulua se kjo listë dominohej nga aktivistë e familjarë të zyrtarëve të VV-së, drejtorëve e menaxherëve të KEK-ut.
Për shkak të dyshimeve për dallavere e manipulime në këtë konkurs, nisi hetimet edhe Prokuroria e Shtetit. Prokuroria dyshonte se rreth 40 persona falsifikuan diplomat e shkollimit që të punësoheshin në KEK.
Pushtetarët nuk u mjaftuan me rrymën, gjatë mandatit të saj, Lëvizja Vetëvendosje u sigurua të fuste nën kontroll edhe ujësjellësin.
Fole të saj kjo parti e shndërroi “Hidrodrinin” e Pejës. Kiks Kosova raportoi për listën e mbi 30 aktivistëve e zyrtarëve të VV-së të cilët u punësuan në ujësjellësin e Pejës gjatë vitit 2023. Rehatimi i tyre u bë në pozita të ndryshme të cilat nisën me mirëmbajtje e arritën deri te financat e kësaj ndërmarrje publike.

