Gazetari Kushtrim Sadiku ka përmbyllur punimet për dokumentarin e tij më të ri, të realizuar në Izrael në fund të vitit 2025.
Premiera e dokumentarit do të shfaqet të hënën në Kanal10 në një mbrëmje të veçantë që do ta shndërrojë televizionin në një kinema të madhe.
Ngjarja do të mbledhë përfaqësues të institucioneve, korrit diplomatik, shoqërisë civile, gazetarisë dhe botës së biznesit.
Dokumentari me titull “Dhimbja që nuk harrohet” sjell rrëfime dhe pamje ekskluzive nga sulmet terroriste të 7 tetorit në Izrael, duke ofruar një trajtim të thellë, autentik dhe gjithëpërfshirës të ngjarjeve, si dhe zhvillimeve që pasuan deri te plani i paqes i hartuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Një pjesë e rëndësishme e dokumentarit i kushtohet edhe marrëdhënieve të veçanta ndërmjet shqiptarëve dhe izraelitëve, që nga periudha e Holokaustit dhe Lufta e Dytë Botërore, lufta e Kosovës, e deri te marrëdhëniet aktuale mes dy shteteve të pavarura.
Sadiku ka falënderuar bashkëpunëtorët për kontributin në realizimin e projektit, përfshirë kameramanin Prekë Karaqi, producenten Shqipe Vishaj, kompozitorin Agron Shala, montazherin Krenar Bajqinovci, si dhe Aferdita Lukajn dhe Enis Vidishiqin për grafikën. Po ashtu, ai ka shprehur mirënjohje për maestro Hazir Reka për fotografitë e luftës së Kosovës, Yad Vashem Israel Digital Center dhe TV I24 për arkivën vizuele.
Premiera në Kanal 10 pritet të shënojë një mbrëmje të veçantë televizive, ku “televizioni i gazetarëve” shndërrohet në një skenë të rëndësishme për trajtimin e zhvillimeve kryesore në rrafshin ndërkombëtar.
Dokumentari transmetohet të hënën në Kanal 10.

