Telenews

Pak shpresë, por BE-ja pret që “komisioni të kontribuojë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve”

pak-shprese,-por-be-ja-pret-qe-“komisioni-te-kontribuoje-per-zbardhjen-e-fatit-te-te-zhdukurve”

Pak më shumë se një vit nga përpjekja e dështuar, të enjten mbrëma Bashkimi Evropian arriti t’i ulë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në takim të përbashkët duke funksionalizuar Komisionin e Përbashkët për të Zhdukurit.

Zëvendëskryeministri në detyrë për dialog, Besnik Bislimi, i vlerësoi të suksesshme takimet që jetësojnë nisjen e punës së komisionit, që ka për qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të Deklaratës së Përbashkët për të Zhdukurit, të arritur më 2 Maj 2023.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, shkroi se Kosova kërkoi zbatimin e deklaratës, përfshirë qasjen në arkivat e klasifikuara të institucioneve dhe ushtrisë serbe, e po ashtu përshpejtimin e punës në terren.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, tha se Komisioni synon, siç u shpreh, “të hedhë dritë mbi fatin e personave të zhdukur, përfshirë ata me forcë”.

“Bashkimi Evropian ka pritje të mëdha që Komisioni i Përbashkët të kontribuojë ndjeshëm në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe të ndihmojë në mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm për familjet, të cilat kanë pritur tepër gjatë për përgjigje”, u shpreh Sorensen.

Edhe pse dakordimin e vlerësuan lajm të mirë, referuar përvojës dekadëshe, në Fondin për Drejtën Humanitare në Kosovë, nuk kanë pritje të larta.

Drejtori i FDH-së në Kosovë, Bekim Blakaj theksoi se “fatkeqësisht ndër vite çështja e të zhdukurve është trajtuar më shumë si politike e se sa humanitare” dhe se kjo sjellë zbehje shprese e zhgënjim.

“Ne nuk jemi shumë optimist që do të zbatohet të gjitha pikat e Deklaratës së Përbashkët. Sigurisht disa prej tyre edhe mund të zbatohen, sic është përfshirja e familjarëve të viktimave në këtë proces, informimi më i mirë i tyre, ndoshta edhe për zhvarrosje, respektivisht gjurmimin e lokacioneve të dyshuara për varreza masive”, u shpreh Blakaj.

Edhe pse thotë se është mirë që palët pritet të takohen më shpesh, Blakaj është skeptik për çështjen e arkivave, pasi qasja e plotë në to do të nënkuptonte hapjen e rrugës për ndjekje ligjore.

“Mund të hapen dosje të caktuara të arkivave mirëpo të dhënat mbi zbardhjen e fatit të personave të zhdukur mund të mos jenë në këto arkiva, respektivisht elemente të caktuara mund të jenë larguar kohë më parë nga këto arkiva. E them këtë sepse kjo pastaj e tërheqë edhe përgjegjësinë penale”, tha Blakaj.

Më 2 Maj 2023, në Bruksel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq në e Deklaratën e Përbashkët për të Zhdukurit, u pajtuan që kjo çështje të trajtohet si humanitare dhe urgjente.

Megjithëkëtë, tek dy vjet e tetë muaj më vonë u arrit takimi i parë i Komisionit të Përbashkët – funksionalizimin e të cilit e kishte bllokuar Serbia, fillimisht duke refuzuar darkordimin për Termat e Referencës e më pas duke mos marrë pjesë në takimin e parë, konstitutiv.

Sipas Termave të Referencës, të dakorduara në Dhjetor 2024, në gjashtë muajt e parë nga funksionalizimi duhet të mbahen gjashtë takime – nga një secilin muaj./dukagjini.com

Të ngajshme

Vjosa Osmani përkujton Fehmi Aganin: Ai i shërbeu atdheut dhe vizionit për shtet

Valjeta Turkaj

Sekuestrohen mbi 800 kg duhan në Ferizaj, shmangen mbi 34 mijë euro akcizë

Valjeta Turkaj

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj tetë personave për krime lufte në Gjakovë

Valjeta Turkaj