Telenews

Nga India drejt botës? Çfarë duhet të dini për virusin Nipah

Një shpërthim i virusit Nipah në shtetin lindor indian të Bengalit Perëndimor ka rritur ndjeshëm shqetësimet në Kinë dhe në disa vende të Azisë Juglindore, duke i shtyrë autoritetet të forcojnë kontrollet shëndetësore në aeroporte.

Që prej dhjetorit 2025, janë konfirmuar dy raste të infektimit me virusin Nipah në Bengal Perëndimor, njoftoi të mërkurën Ministria e Shëndetësisë e Indisë. Institucioni nuk dha detaje mbi identitetin e të infektuarve, por theksoi se nga 196 persona të kontaktuar, të gjithë janë gjurmuar, nuk kanë shfaqur simptoma dhe kanë rezultuar negativë në testime për virusin.

A ka arsye për t’u shqetësuar?

Ekspertët thonë se situata duhet ndjekur me kujdes, por nuk ka arsye për panik të menjëhershëm.

Ja çfarë dihet deri tani:

Çfarë është virusi Nipah?

Virusi Nipah (NiV) është një virus zonotik, që do të thotë se transmetohet nga kafshët te njerëzit. Bartësit kryesorë janë lakuriqët e natës frutorë, por infektimi mund të ndodhë edhe përmes produkteve ushqimore të kontaminuara ose nga njeriu te njeriu përmes kontaktit të drejtpërdrejtë.

Virusi është potencialisht vdekjeprurës. Periudha e intubimit zakonisht zgjat nga 5 deri në 14 ditë, ndërsa simptomat shfaqen zakonisht brenda 3-4 ditëve. Infeksioni shkakton sëmundje të rënda respiratore dhe neurologjike, duke nisur me ethe dhe dhimbje koke, dhe në raste të rënda përparon në inflamacion të trurit.

“Shkalla e vdekshmërisë është e lartë, nga 40 deri në 75 për qind te personat e infektuar”, tha për Al Jazeera eksperti Abbas.

Megjithatë, sipas tij, numri bazë i riprodhimit të virusit, pra numri mesatar i personave që infektohen nga një i sëmurë, është zakonisht më pak se 1, çka tregon se përhapja nga njeriu te njeriu është e kufizuar dhe ka pak gjasa që virusi të kthehet në pandemi globale, siç ndodhi me COVID-19.

Ku është shfaqur më parë?

Shpërthimi i parë u regjistrua në 1998 në Malajzi dhe Singapor, ku fermerë derrash dhe kasapë u infektuan nga kafshë të sëmura. Rreth 250 persona u infektuan dhe mbi 100 humbën jetën.

Në vitin 2014, raste të virusit u shënuan në Filipine, të lidhura me therjen e kuajve dhe konsumimin e mishit të kontaminuar.

Që prej vitit 2001, shpërthime sporadike, por të përsëritura, janë regjistruar në Azinë Jugore, veçanërisht në Bangladesh dhe Indi. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në Bangladesh infektimet janë lidhur me konsumimin e lëngut të palmës së papërpunuar, kontaktin e ngushtë me sekrecione të personave të infektuar dhe kujdesin ndaj pacientëve të sëmurë.

Në Indi, rastet e para zyrtare u regjistruan në Bengal Perëndimor në vitin 2007, por një shpërthim i mëhershëm u identifikua në qytetin Siliguri në vitin 2001, ku 75% e rasteve ishin staf spitalor ose vizitorë.

Që prej vitit 2018, dhjetëra vdekje janë raportuar në shtetin Kerala, i cili konsiderohet aktualisht si zona me rrezikun më të lartë në botë për virusin Nipah.

Shkaqet e shpërthimeve në shtete të tjera indiane mbeten të paqarta. Disa ekspertë mendojnë se infektimi mund të lidhet me konsumimin e frutave të ndotura nga pështyma ose urina e lakuriqëve të natës, ndërsa Këshilli Indian i Kërkimeve Mjekësore ka sugjeruar se, përveç kontaktit fizik, virusi mund të transmetohet edhe nëpërmjet ajrit, ndonëse kjo nuk është vërtetuar plotësisht.

Sipas Abbasit, fakti që dy rastet e fundit në Bengal Perëndimor janë punonjës shëndetësorë në të njëjtin spital tregon mundësinë e transmetimit nga një pacient i infektuar, por ende i padiagnostikuar.

A ekziston një vaksinë kundër virusit?

Aktualisht nuk ka vaksinë apo trajtim të miratuar për virusin Nipah, as për njerëzit dhe as për kafshët, sipas OBSH-së.

Universiteti i Oksfordit po zhvillon prova klinike për një vaksinë në Bangladesh, ndërsa faza e dytë e testimeve nisi në dhjetor 2025.

Në mungesë të vaksinës, mjekët kanë përdorur antivirale si Ribavirina, megjithëse efektiviteti i saj mbetet i paqartë. Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka deklaruar se edhe Remdesiviri mund të ndihmojë në parandalim, të paktën në eksperimente me primatë.

Në Kerala, Remdesiviri u përdor gjatë një shpërthimi në vitin 2023, duke ndikuar në uljen e shkallës së vdekshmërisë.

Cilat vende kanë forcuar kontrollet shëndetësore?

Tajlanda, Indonezia, Nepali dhe Malajzia kanë shpallur masa të shtuara kontrolli në aeroportet ndërkombëtare.

Tajlanda ka caktuar zona të veçanta për avionët që vijnë nga vende të prekura dhe ka kërkuar që pasagjerët të plotësojnë formularë shëndetësorë përpara kalimit në emigracion. Në aeroportin Suvarnabhumi të Bangkokut janë instaluar edhe skanerë termikë për zbulimin e etheve.

Masa të ngjashme janë zbatuar edhe në Malajzi, Indonezi dhe Nepal.

Të ngajshme

Gabimet që bëni kur hani mëngjes, çfarë duhet të shmangni

Valjeta Turkaj

Tri zakone të thjeshta për më shumë kënaqësi dhe momente lumturie

KushtrimGuraj

OBSH-ja sheh rrezik të ulët të përhapjes së virusit Nipah përtej Indisë

Valjeta Turkaj