Qeveria zvicerane ka mbështetur një nismë për heqjen e statusit civil “i divorcuar”, duke argumentuar se divorci është një ngjarje ligjore e përfunduar dhe nuk duhet të shënohet përgjithmonë si pjesë e statusit civil të një personi.
Nisma është propozuar nga deputetja e Partisë së Lirë Demokratike (FDP), Nadine Gobet, e cila ka kundërshtuar faktin që personat e divorcuar duhet të deklarojnë statusin e tyre edhe shumë vite pas përfundimit të martesës.
Sipas Gobet, statusi civil duhet të pasqyrojë gjendjen aktuale juridike të një personi dhe jo historinë e tij personale. Ajo e konsideron divorcin një çështje ligjore të përfunduar dhe kërkon që personat e divorcuar të rikthehen në kategorinë “beqar/e” në formularët zyrtarë.
Sipas propozimit, të dhënat për divorcin nuk do të zhdukeshin nga regjistrat shtetërorë. Ato do të vazhdonin të ruheshin, por nuk do të shfaqeshin më si një status civil më vete.
Tash vendimi i takon Parlamentit zviceran. Nëse nisma miratohet, do të nevojiten ndryshime ligjore për zbatimin e saj.
Aktualisht, ligji zviceran e njeh “të divorcuarën” si një nga statuset civile zyrtare.

